Vendosni fjalën kyçe....

“Ik plaku Mere”- Balla përplaset me Berishën: Ju kemi thënë që do hani njëri-tjetrin


Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka reaguar nga foltorja pas lutjes për KE-në të kryetarit të PD-së Sali Berisha.

Balla e ironizoi Berishën duke thënë se kur dëgjon atë të flasë për korrupsionin është njëlloj si të dëgjosh djallin të flasë për mëkatet. Më tej, Balla u shpreh sot se drejtësia duhet lënë që ta hetojë deri në fund çështjen e financimeve ruse përmes Partisë Demokratike.

Ai shtoi se kur Berisha e Lulzim Basha ishin bashkë me këtë të fundit si kryetar, mediet ruse si ‘Sputnik’ u kushtonin shumë hapësirë protestave të tyre.

“Ik plaku Mere me gjithë tespihe! Kur dëgjon Saliun të flasë për korrupsionin është njëlloj sikur të dëgjosh djallin të flasë për mëkatet. E vërteta është që sot humbi një tjetër mundësi që të fillojë të tregojë mëkatet e veta.

E ndjej detyrim të tregoj para publikut dhe para anëtarëve të Kuvendit, që prej ditësh ka rimarrë vëmendjen dhe të flas për një tjetër çështje të rëndësishme, financimin e depërtimeve të financimeve ruse.

Kur unë e kam ngritur këtë çështje në vitin 2017 në këtë sallë, edhe Mondi (sa herë çoheshe këtu thoshe Taulanti ia fut kot), edhe Gjekmarkaj në studiot televizive…ne nuk jemi imunë. Kallëzimin për këtë çështje e kam bërë unë dhe çështja vijon të jetë dyer e drejtësisë sepse do ta çoj deri në fund. Kur ishit me Lulin bashkë thoshit nuk është e vërtetë, tani që jeni prishur me Lulin, thoni është e vërtetë.

Është koha që ne të ndërmarrim të gjitha nismat ligjore përfshirë punën që po bëhet në komisionin e posaçëm të reformës. Si është ajo shprehja ‘dëgjuam krisma.’ E vërteta është që paska pasur krisma. ‘Non grata’ e Bosnjes dhe ajo e Shqipërisë janë problem për gjithë Ballkanin. Nëse ju doni të bëni parti me një ‘non grata’ udha e mbarë ju qoftë. Do vijë një ditë që do hani njëri-tjetrin. E vërteta është që Saliu po bërtet më shumë për këtë çështje.

Nuk ka qenë asnjëherë rastësore që në 2018 dhe 2019 protestat e opozitës të bashkëdrejtuar nga Basha dhe Berisha jepeshin live në televizionin rus. Sputnik ishte live nga Tirana, 3 orë transmetim për 400 vetë në shesh.”– deklaroi Balla.

Berisha gjatë fjalës së tij në foltore më herët, kërkoi hetim ndërkombëtar nga Komisioni Evropian, për aferat korruptive në vendin tonë.