Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Peleshi: Ende s’mund të them nëse ishin blogerë apo agjentë, dhuna na bëri të dyshojmë


Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka folur në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të QSUT-së, lidhur me incidentin e mbrëmjes së kaluar në Uzinën Ushtarake të Gramshit.

Peleshi tha se dy rusët dhe ukrainasi të arrestuar një ditë më parë janë vënë nën vëzhgim prej disa ditësh. Sipas ministrit ajo që i ka bërë të dyshojnë për spiunazh ka qenë mënyra si të huajt tentuan të futen me dhunë në objektin ushtarak.

“Fakti që u sollën dhunshëm, na bëjnë të dhunojmë. Dyshojmë për spiunazh pasi u futën drejt në uzinë dhe fotografuan.”– tha ai.

Por Peleshi theksoi se ende nuk mund të konfirmojë nëse ata janë blogerë apo agjentë.

“Ka pasur informacion edhe para se të ndodhte ngjarja. Kanë qenë në vëzhgim. Janë mbledhur të gjithë informacionet, edhe këto që thoni ju. Nuk mund të komentoj nëse janë blogere. Megjithatë blogerë apo jo blogerë ngjarja ka dhunë brenda. Bëhet fjalë për dhunim, futje në një institucion në mënyrë të paautorizuar. Ne e trajtuam me shumë seriozitet. Nuk kam informacion për pajisjen e përgjimit. Nuk është gjetur ndonjë aparat përgjimi në Sazan. Duhet thënë që politika e ditës lokale e ka hapësirën e fantazisë shumë më të madhe.

Askush nuk ka të drejtë të paragjykojë. Ngjarja është në hetim. Sot jemi pak orë pas ngjarjes. Pas pak orësh ose minutash do të keni informacion nga grupi i hetimit.

Janë pikasur lëvizjet e automjetit. Agjencia e mbrojtjes ka qenë e informuar që kur ka lindur dyshimi. Ne e kemi mbrojtur. Nuk është se nuk ka pasur reagim apo nuk është kapur personi që ka tentuar të hyjë pa leje. Personi që ka kapërcyer gardhin është ndaluar nga dy ushtarakët tanë. Sot ushtarakët tanë janë në gjendje shumë të mirë.”– tha Peleshi.

I pyetur nga gazetarët, ministri Peleshi hodhi poshtë zërat se Uzina kishte tre vite pa energji elektrike.

Ai tha se pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë është rritur kërkesa për armatim, ndërsa thekson se Shqipëria ka bërë shumë mirë që nuk ka shuar përfundimisht industrinë e armëve.

“Për shkak të agresionit rus në Ukrainë është rritur kërkesa për armatim. Kemi bërë mirë që nuk e kemi shuar përfundimisht industrinë tonë. Po mendojmë për ti rivendosur në punë këto uzina. . Nuk di që sot s’ka energji në Uzinë. Nuk ka uzinë në punë. Uzina ka statusin shoqëri aksionere por nuk ka aktivitet prej tre vitesh Nuk është e vërtetë që ka tre vite pa energji elektrike.”– tha Peleshi.

Mes të tjerash Peleshi tha se kjo ngjarje që ndodhi në Gramsh ngre dyshime për hetime.