Vendosni fjalën kyçe....

“Fëmijët tanë bënin foto me Chevrolet-in” – Banorët flasin për incidentin në uzinën e armëve në Gramsh


Banorët e fshatit Çekin të Gramshit kanë treguar çfarë kanë parë e kanë dëgjuar në lidhje me incidentin e djeshëm në uzinën e armëve.

Një nga banorët, Xhevahir Shaipi tregon se prej tre ditësh makina e përdorur nga tre të huajt, dy rusët dhe një ukrainas kishte lëvizur në zonë.

Një prej rusëve është parë nga nëna e tij e cila edhe i ka folur në shqip.

“Ky muhabet ka tre ditë. Makina e bënte këtë rrugë ishin një gocë e dy çuna. Dje në orën 7 pasdite e kishin lënë makinën para shtëpisë tonë dhe fëmijët na treguan se ikën nga uzina. Njëri që kishte një çantë në dorë dhe një spray në dorë, e kishte parë nëna ime e cila i kishte folur në shqip se ç’kërkonte aty. Ai i ishte përgjigjur në gjuhën e tij.

Aldo Bici dhe ushtari tjetër i ndaloi për t’i kapur, kur duan t’i ndalojnë se po i ndiqnin me makinë nga poshtë se ata donin të iknin, i sulmuan me spray. Ajo goca kishte ikur më parë në këmbë.

Makina kishte tre ditë që lëvizte por nuk e dinim se ç’ishte, kalamajtë bënin foto aty.

Momenti kur u hodh spray, ishin dy, njëri mori makinën tjetri iku andej, nuk u morën vesh me njëri-tjetrin, fëmijët i treguan foton e makinës dhe më vonë u kapën në Cërrik.

Nuk i jepnim shumë rëndësi sepse uzina nuk ishte në gjendje pune atje nuk prodhohet asgjë ka vetëm ferra. Nuk prodhohet është vetëm për demontim.”– tregoi banori.

Një tjetër banore, Fatmira Shaipi tha se kishte parë 24-vjeçarin Mikhail Zorin pak para ngjarjes me një çantë në shpinë.

“Isha te ara. Një person po ngjitej përpjete te vreshti. Kishte çantë në shpinë. mendova se ishte hajdut dhe mos na vjedh shtëpinë. Shkova në shtëpi dhe pashë më pas që ishin mbledhur shumë. Ai iu kishte shpëtuar atyre, i kishte ngelur çanta në dorë. pashë që i kishte hedhur spray ushtarëve.

E mësuam më vonë nga mediat që ishin rusë.

Se dimë, e dimë se vinë refugjatë. Ajo makina erdhi dje, si ferrari, ngjyrë portokalli. Më pas makina iu shpëtoi policisë. Kishte hartë në çantë, aparat fotografik. Uzina nuk është funksionale, është shkatërruar që në 97. Ajo uzinë ruhet, nuk futet njeri.”– tha zonja për “News 24”.

Një banor i tretë Baftjar Llapushi ka rrëfyer gjithashtu versionin e tij se si ndodhi ngjarja.

“Erdhi personi në rrugë. Pasi erdhi ai, erdhi roja që e kapi në moment. Ai hapi spray-n për të ikur, dhe sulmoi. Më pas erdhi policia. Ai tentoi që të ikte, hapi sprayn. Se di, ata thanë se kishte hyrë brenda uzinës. I thanë ‘ndalo!’ Por nuk ndaloi. Më pas erdhi policia dhe më pas ambulanca. Ushtarakët pësuan lëndime që i ra në sy dhe në pjesën e përparme të fytyrës. Më pas e mori policia dhe ikën.
Më thanë se ishte rus. Nuk e dëgjova ça gjuhe fliste. Vetëm ai ishte. Uzina ka roje që rrinë për pastrimin. Nuk ka punonjës.”– tregoi ai.

Autoritetet dyshojnë se tre të huajt, dy rusët Svetlana Timofeeva dhe Mikhail Zorin, si dhe ukrainasi me inicialet F.A janë pjesë e një celule spiunazhi. Pajisjet e tre të huajve të prezantuar si blogerë që mendohet se janë spiunazhi janë dërguar në laborator shkencor për ekzaminim. Por ata pretendojnë që janë thjesht blogerë dhe madje kjo nuk ishte hera e parë që ata vinin në Shqipëri.