Vendosni fjalën kyçe....

Meta reagon ndaj Peleshit: Braktisni vjedhjet që qytetarët të mos braktisin shtëpitë


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas situatës së zjarreve dhe deklaratës së Ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi që qytetarët që rrezikohen nga zjarret të largohen nga shtëpitë.

Meta u kërkon qeveritarëve të braktisin vjedhjet që qytetarët të mos braktisin shtëpitë.

Sipas Kreut të PL-së i gjithë vendi është i ekspozuar ndaj zjarreve por nuk merret asnjë masë për parandalimin apo mbajtjen nën kontroll.

Meta ka drejtuar disa pyetje mbi këtë situatë mbi marrjen e masave, gjendjen inekzistente të flotës ajrore apo edhe për blerjen e fluturimeve kundër zjarreve.

Braktisni vjedhjet, që qytetarët të mos braktisin shtëpitë!

Është gjëja më e lehtë t’u bësh thirrje qytetarëve në momentin e fundit të braktisin shtëpitë.

Të gjithë e dinë që vendi ynë është i ekspozuar ndaj zjarreve, por asnjë masë nuk merret për parandalimin, sinjalizimin dhe ndërhyrjen në kohë për t’i mbajtur nën kontroll. I njëjti avaz përherë i nënvlerësimit të situatës, derisa zjarri u afrohet shtëpive.

Kur do e braktisë Qeveria indiferencën dhe papërgjegjshmërinë për parandalimin e zjarreve?

Pse është në këtë gjendje inekzistuese flota ajrore e ushtrisë tonë?

Pse nuk blihen që në fillim të vitit orëfluturimet e avionëve kundër zjarreve?Pse gjithmonë do të shohim në media vetëm disa ushtarë me lopata dhe fshesa kundër zjarreve?

Shqipëria po digjet sepse qindra milonë euro vidhen përmes Djegësave fiktive (inceneratorëve).

Shqipëria po digjet nga zjarret në verë sepse përvëlohet nga korrupsioni qeveritar në të katër stinët papushim”-shkruan Meta.

Deklarata e Ministrit të Mbrojtjes:

Kushtet atmosferike, era e fortë në disa raste po vështirësojnë punën e forcave operacioneve në terren, në përballje me zjarret. Problematike është situata në fshatin Dushkarak në bashkinë Selenicë, ku po ndërhyn nga ajri helikopteri i Forcës Ajrore. U bëjmë thirrje banorëve që janë pranë vatrave të zjarrit të evakuohen në rast se kjo u kërkohet nga autoritetet.

Nga toka dhe nga ajri po punohet edhe në fshatin Mal Bardhë, në Kurbin. Efektivë të FA janë angazhuar për shuarjen e flakëve në fshatin Vilzë e Bërdicë të Shkodrës, apo edhe në Lam i madh, Bashkia Mat.