Vendosni fjalën kyçe....

Putin thotë se do kandidojë në zgjedhjet presidenciale të Rusisë në mars të 2024


Presidenti rus, Vladimir Putin, ka njoftuar se do të kandidojë edhe për një mandat në zgjedhjet presidenciale të Rusisë, të planifikuara për 17 mars 2024.

Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, TASS, Putin ka njoftuar se do të kandidojë sërish, pasi mori pjesë në një ceremoni, në Kremlin, për të nderuar me yllin e artë të heroit ushtarët që kishin marrë pjesë në luftën në Ukrainë.

Aty, Putini u pyet nga një kolonel nëse do të kandidonte përsëri dhe ai e pohoi këtë.

Një mandat i ri do ta mbante atë në pushtet të paktën deri në vitin 2030.

Putinit iu dorëzua mandati i presidentit nga Boris Yeltsin në vitin 1999 dhe prej atëherë ka qëndruar në pushtet si president apo kryeministër.

Politikanët e opozitës i cilësuan zgjedhjet si një gjethe fiku të demokracisë që e zbukuron atë që ata e shohin si diktaturë të korruptuar të Rusisë së Putinit.

Politikani i burgosur i opozitës, Aleksei Navalny dhe mbështetësit e tij u kërkuan personave me të drejtë vote n Rusi që të votojnë për “çdo kandidat tjetër” përveç Putinit, edhe pse “rezultatet përfundimtare do të manipulohen”.

Putini, megjithatë, nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar se ai do të kandidojë në zgjedhjet e planifikuara të mbahen midis 15 dhe 17 marsit të vitit të ardhshëm.

Sipas analistëve, Putini nuk do të përballet me asnjë kundërshtar të madh dhe pritet të kërkojë një mandat sa më të madh që të jetë e mundur për të fshehur mosmarrëveshjet e brendshme rreth luftës në Ukrainë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL.