Vendosni fjalën kyçe....

Rusia nuk do i besojë më Perëndimit – Kremlini


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha NBC Neës se Rusia ‘nuk do i besojë kurrë më Perëndimit’. Mes një ndërprerjeje historike të marrëdhënieve, Peskov nuk është i vetmi zyrtar i lartë rus që përjashton një rikthim në normalitet.

Duke i thënë NBC-së se pasojat për konfliktin në Ukrainë do ishin ‘një krizë e gjatë’, Peskov parashikoi se marrëdhëniet do mbeten të akullta për gjatë.

Gjatë intervistës një orëshe, nga e cila NBC ka publikuar vetëm fragmente të shkurtra, Peskov deklaroi gjithashtu se dy shtetas amerikanë të kapur duke luftuar për Ukrainën në Donbass konsiderohen nga Moska si ‘ushtarë mercenarë’ dhe fati i tyre do vendoset nga ‘një vendim gjykate’.

Në fillim të këtij muaji, një gjykatë e Republikës Popullore të Donetskut në Donetsk shpalli fajtorë tre luftëtarë të huaj – dy shtetas britanikë dhe një maroken, që u kapën në Ukrainë nga forcat ruse dhe i dënoi me vdekje. Ata kanë apeluar vendimin.

Peskov nuk është zyrtari i parë rus që hedh poshtë një rikthim te diplomacia me Perëndimin. Dmitry Medvedev, ish-presidenti i Rusisë dhe nënkryetari i tanishëm i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, deklaroi të hënën se Moska nuk duhet të shtyjë për zgjatjen e një traktati për zvogëlimin e armëve bërthamore me Uashingtonin, duke thënë se zyrtarët amerikanë ‘na mashtruan e na mashtrojnë’.

“Ne nuk kemi asnjë marrëdhënie me SHBA-në për momentin. Ata janë në zero gradë Kelvin. Dhe ne nuk duhet t’i shkrijmë ato tani për tani.” – shkroi Medvedev në rrjetet sociale.

“Lërini të vijnë ose të zvarriten dhe të lypin. Dhe ata duhet ta vlerësojnë atë si një akt bujarie të madhe nga ana jonë nëse i presim.”

Pas nisjes së operacionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë në fund të shkurtit, vendet perëndimore kanë dërguar dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake për Kievin, ndërsa kanë goditur Rusinë me sanksione të paprecedenta ekonomike, me kosto të konsiderueshme për ekonomitë e tyre.

Mes dëbimit të ndërsjellë të diplomatëve dhe pezullimit të lidhjeve të udhëtimit midis Rusisë dhe Perëndimit, presidenti rus Putin deklaroi javën e kaluar se rendi botëror ka ndryshuar rrënjësisht, me sistemin e vjetër, të dominuar nga SHBA, që nuk do kthehet më.

“Është gabim të sugjerosh se kohët e ndryshimeve të turbullta mund të priten dhe se gjërat do të kthehen në normalitet; se gjithçka do të jetë ashtu siç ishte. Nuk do jetë.” – tha ai gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg.