Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori rus në Uashington: Askush në SHBA nuk flet për stabilizimin e marrëdhënieve me Rusinë


 Shtetet e Bashkuara kanë ndërprerë çdo fushë bashkëpunimi me Moskën dhe Uashingtoni nuk flet për stabilizimin e marrëdhënieve me Rusinë. Kështu tha ambasadori rus në SHBA, Anatoly Antonov në një intervistë televizive me Channel One të Rusisë të mërkurën.

“Askush në Uashington nuk po flet tani se si të stabilizohen dhe zhvillohen marrëdhëniet dypalëshe. Këtu Rusia ka fituar definitivisht statusin e një kundërshtari, një nga ato monstra që duhet shkatërruar.”– tha ai, citon TASS. “Aktualisht, të gjitha fushat e bashkëpunimit janë të ngrira”.

Antonov tha se megjithatë Uashingtoni nuk është i gatshëm të ndërpresë plotërisht marrëdhëniet diplomatike me Moskën, duke e konsideruar atë të papërshtatshme. Ai shtoi se një ambasador i ri i SHBA-ve në Moskë ka të ngjarë të emërohet në të ardhmen e afërt.

“Amerikanët argumentojnë në nivelin politik se është e papërshtatshme të prishen plotësisht marrëdhëniet diplomatike dhe ata mendojnë se është e nevojshme të kenë përfaqësuesit e tyre në Moskë. Meqë ra fjala, kohët e fundit u njoftua se emërimi i një ambasadori të ri në Moskë mund të pritet së shpejti.”– tha ai.