
Këtë të martë zhvillohet etapa e dytë e “Turit Çiklistik të Shqipërisë 2026”, një nga aktivitetet më të rëndësishme sportive ndërkombëtare në vend.
Sipas njoftimit zyrtar, çiklistët do të nisen nga Lezha në orën 12:00 dhe gara do të përfundojë në Elbasan, duke kaluar në segmentet Lezhë–Vorë–Golem–Rrogozhinë.
Një ditë më parë u zhvillua etapa e parë e turit, ku fitues u shpall çiklisti belg Kjell Cooman.
Ndërkohë janë bërë publike edhe etapat e radhës së garës:
Etapa e tretë, më 20 maj 2026, do të nisë në Elbasan dhe do të përfundojë në Vlorë, duke kaluar në Belsh, Kuçovë, Lushnjë dhe Unazën e Fierit.
Etapa e katërt, më 21 maj 2026, parashikon itinerarin Vlorë–Tuneli i Llogarasë–Himarë–Kuç–Lepincë–Kotë, me finish sërish në Vlorë.
Etapa e pestë dhe e fundit do të zhvillohet më 22 maj 2026, duke nisur nga Vlora dhe duke përfunduar në Fier, përmes segmentit Vlorë–Rrethrrotullimi i Lushnjës.
Policia e Shtetit ka apeluar për mirëkuptimin e qytetarëve gjatë zhvillimit të garës dhe ka rekomanduar përdorimin e akseve alternative në zonat ku do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit. Strukturat policore, sipas saj, do të jenë të angazhuara për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv ndërkombëtar.