Vendosni fjalën kyçe....

Zvicra blen tonelata ari rus – Bloomberg


Zvicra importoi ar nga Rusia në maj për herë të parë që nga shkurti, raportoi Bloomberg të martën. Sipas shkrimit, masa sugjeron se qëndrimi i industrisë ndaj metaleve të çmuara ruse mund të zbutet.

Zvicra bleu më shumë se 3 tonë ar nga Rusia muajin e kaluar, citoi Bloomberg të dhëna nga Administrata Federale e Doganave Zvicerane. Blerja përfaqëson rreth 2% të importeve zvicerane të shufrave në maj.

Vendi është një qendër kryesore rafinimi që trajton dy të tretat e arit në botë. Pas fillimit të operacionit ushtarak të Moskës në Ukrainë dhe shtrirjes së sanksioneve ndërkombëtare, Shoqata e Tregut të Shufrave në Londër pezulloi të gjitha rafineritë ruse të arit dhe argjendit nga lista e furnizuesve të miratuar.

Masa u pa nga industria si një ndalim ‘de facto’ dhe shumica e rafinerëve refuzuan të pranonin arin e ri nga Rusia.

Kjo lëvizje nga Zvicra vjen pasi metali i çmuar është cilësuar si një objektiv i ri i mundshëm për sanksione kundër Moskës. Sipas një raporti të Reuters të martën, liderët e BE-së duan të vazhdojnë presionin ndaj Rusisë ndërsa mblidhen për një samit këtë javë.

Nuk është e qartë nëse Zvicra, e cila nuk është pjesë e BE-së, do të respektojë ndalimin e mundshëm të arit rus.