Vendosni fjalën kyçe....

Biden po e çon SHBA-në në ‘luftë botërore’ – Trump


Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump i tha Newsmax se presidenti Biden ka rrënuar ekonominë kombëtare dhe e ka tërhequr vendin drejt një ‘lufte botërore’ për Ukrainën.

Trump shtoi gjithashtu se ai ‘nuk di asgjë’ që do ta ndalonte atë të kandidojë përsëri për postin në 2024.

“Vendi ynë është në telashe të mëdha.” – i tha Trump prezantuesit të Newsmax Eric Bolling.

“Dhe ne jemi në rrezik serioz me atë që po ndodh në Ukrainë dhe me Rusinë. Ju mund të përfundoni në një luftë botërore duke parë mënyrën si po e trajtojnë krizën në Ukrainë. Është çmenduri kjo që po bëjnë. Eshte cmenduri.”

Ish-presidenti këmbënguli se nëse ai do të ishte ende në pushtet, ‘lufta e Ukrainës nuk do të kishte ndodhur kurrë dhe se Rusia nuk do e kishte sulmuar kurrë Ukrainën’.

Trump nuk shpjegoi se si do ta kishte parandaluar konfliktin, por këmbënguli se Amerika ishte ‘respektuar’ nën administratën e tij, duke pretenduar se ai gjithashtu ‘do kishte bërë një marrëveshje’ me Iranin mbi ambiciet e tij bërthamore brenda një jave pas rizgjedhjes së tij në 2020, në vend të negociatave të ngecura që po zhvillohen tani.

Pozicioni i Trump për Ukrainën ka ndryshuar që kur Rusia nisi operacionin e saj ushtarak atje në fund të shkurtit.

Pasi i tha Fox News në mars se do dërgonte nëndetëse të armatosura bërthamore për të lëvizur lart e poshtë brigjeve të Rusisë’, ai bëri thirrje në prill për një fund të negociuar të konfliktit. Trump që atëherë e ka kritikuar Bidenin për dërgimin e dhjetëra miliardave ndihma ushtarake në Kiev, duke deklaruar se ndezja e konfliktit do të ‘çonte në Luftën e Tretë Botërore’.

Trump u fajësua gjithashtu në vitin 2020 për ndalimin e përkohshëm të ndihmës ushtarake prej 391 milionë dollarësh, pasi ai e shtyu presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të shtypte korrupsionin në vendin e tij, përfshirë marrëdhëniet e supozuara të korruptuara të biznesit të familjes Biden në Ukrainë.

Trump u përqendrua në intervistën e tij te gjendja e rëndë e ekonomisë amerikane, e rrënuar nga një normë inflacioni e lartë 40-vjeçare dhe çmimet rekord të gazit. Ish-presidenti fajësoi administratën Biden për rritjen e kostove të karburantit.

Lidhur me besimin e përhapur se ai do kandidojë përsëri për presidencën në vitin 2024, Trump i tha gazetarit: “Unë nuk di asgjë që do të më ndalonte të konkurroja. Unë e dua vendin tonë, do të bëj atë që është e drejtë për vendin tonë.” – përfundoi ai.