Vendosni fjalën kyçe....

Situata me zjarret/ Kryemadhi tregon ç’bëhet me helikopterët e Shqipërisë: Rama t’i kundërshtojë këto fakte po deshi


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka reaguar në lidhje me situatën e zjarreve në vend.

Në një postim në Facebook, Kryemadhi shprehet se Shqipëria ka në pronësi 4 helikopterë “Cougar”, nga të cilët dy janë në Poloni për servis, një në Itali dhe i katërti ndodhet në Farkë i sapokthyer nga servisi në Zvicër, por që sipas saj nuk mund të fluturojë.

“Mqs kryeministri Rama ka më shumë qef llafet se faktet e papërgjegjshmërisë së tij, ja disa të vërteta, që i ftoj t’i kundërshtojë:

Shqipëria ka në pronësi 4 helikopterë ‘Cougar’.

Aktualisht sot:

2 janë në Poloni, në pritje për tu servisuar.

I treti ka dy vjet në Itali, pasi ka bërë ulje të detyrueshme në kthim nga Franca.

Ndërsa i katërti është në Farkë, sapo është kthyer nga servisimi në Zvicër, por nuk fluturon dot se ka rrjedhje vaji.

Sot në Farkë fluturojnë vetëm dy helikopterë ‘As’ të Policisë së Shtetit, me të cilët bëjnë stërvitje studentët e rinj. Edhe këta, punojnë vetëm pak orë dhe ngelen në tako.

Ah po, është edhe helikopteri i shëndetësisë EC-135.”– shkruan Kryemadhi.

Më tej kryetarja e LSI-së shton se në kohën kur Shqipëria gjendet e papërgatitur ndaj çdo krize që vjen, buxheti i shtetit vazhdon të shpërdorohet “me urdhër të Ramës” për pronarët e inceneratorëve dhe PPP-ve korruptive. Këto të fundit sipas saj “janë në fakt krenaria më e madhe dhe veprat e vetme” të kryeministrit Rama.

Ky reagim i sotëm vjen pasi Ministria e Mbrojtjes u përgjigj përmes një deklarate për mosndërhyrjen nga ajri në Sazan, duke pranuar se i kanë kapacitetet të kufizuara.