Vendosni fjalën kyçe....

Mblidhet Kuvendi/ Tritan Shehu e nis me kritika: Ka një shkelje të rëndë të rregullores, edhe Alibeaj të ngrejë zërin


Deputeti demokrat Tritan Shehu ishte i pari që mori fjalën në seancën e sotme plenare në Kuvend.

Ai e nisi fjalën me kritika, duke u ankuar për shkelje të rënda të rregullores pasi nuk është mbledhur Konferenca e Kryetarëve për të shqyrtuar kërkesën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë.

Shehu i ka kërkuar drejtueses së seancës Ermonela Felaj të mbledhë menjëherë konferencën e kryetarëve për shqyrtimin e kërkesës për dëninim e gjenocidit serb në Kosovë dhe kërkoi mbështetje edhe nga grupimi i Enkelejd Alibeajt.

“Ka një problem të rëndë procedurial që lidhet me mosrespektimin e rregullores. Ne kemi një rregullore të shenjtë. Prej shumë ditësh një grup deputetësh kemi depozituar kërkesën për mocion debat për të dënuar gjenocidin serb. Në bazë të rregullores thuhet që brenda tre ditësh duhet të mblidhet konferenca e kryetarëve.

Edhe nëse kryetarja nuk është prandaj jeni ju aty që e zëvendësoni. Në një parlament mbi të gjitha është rregullorja. Kemi një shkelje të rëndë të rregullores në këtë rast që lidhet me element të tjerë brenda saj. Ju kërkoj që sonte të mblidhni konferencën e kryetarëve, Të vendosni çfarë do bëhet me njohjen e gjenocidit serb.

Në lidhje më këtë çështje ka paraqitur rezolutë edhe Alibeaj. Nuk ka asgjë të keqe. I kërkoj të gjithë atyre që kanë kërkuar atë rezolutë të protestojnë për këtë  edhe zotit Alibeaj. I kërkoj kolegëve të bëjnë këtë gjë dhe të mos rrijnë si fija e barit në heshtje para presionit qeveritar.”– tha Shehu.

Lidhur me këtë kërkesë, Felaj tha se tagrin për të thirrur konferencën e kryetarëve e ka kryetarja Lindita Nikolla e cila aktualisht ndodhet jashtë vendit.