Vendosni fjalën kyçe....

SHBA vendos sanksione ndaj dy zyrtarëve të lartë të Republikës Sërpska


Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të hënën sanksione ndaj presidentit të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, Marinko Çavara dhe ministrit të Shëndetësisë në Republikën Sërpska.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se sanksionet janë vendosur ndaj zyrtarëve për shkak të aktiviteteve destabilizuese.

Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin e Thesarit tha se Çavara dhe Sheraniq kanë “rrezikuar stabilitetin e rajonit dhe kanë minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe proceset demokratike ose institucionet”.

“Marinko Çavara dhe Alen Sheraniq kanë ndjekur agjenda ento-nacionaliste dhe agjenda në kurriz të institucioneve demokratike të Bosnjë e Hercegovinës dhe qytetarëve”, tha Brian E.Nelson, nënsekretar për kundërterrorizëm dhe inteligjencë në Departamentin amerikan të Thesarit.

“Masat e sotme konfirmojnë zotimin e vërtetë të SHBA-së për stabilitet dhe prosperitet të Bosnjë e Hercegovinës”, u tha në deklaratë.

Masat kanë riafirmuar përkushtimin e SHBA-së për të mbajtur përgjegjës zyrtarët në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe ata zyrtarë që minojnë proceset demokratike apo institucionet e Ballkanit Perëndimor, dhe në këtë mënyrë kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e shteteve të tyre.

Marinko Çavara, president i Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, është përgjegjës për nominimin e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese të Bisnjës.

Që prej vitit 2019, ai ka refuzuar që të nominojë gjykatës, duke bllokuar funksionimin e panelit për interesa vitale të gjykatës, një institucion që adreson çështje të ngritura nga deputetët e Parlamentit të Bosnjë e Hercegovinës.

“Përmes mosveprimit, Çavara ka mbajtur peng funksionimin e këtij paneli në të mirë të interesave politike të partisë së tij”, u tha në deklaratë.

Sanksionet kundë Sheraniqit janë zgjerim i sanksioneve që janë vendosur më herët gjatë këtij viti ndaj liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili ka udhëhequr një fushatë për shkëputje nga institucionet shtetërore, pavarësisht se Perëndimi ka paralajmëruar kundër veprimeve të tilla.