Vendosni fjalën kyçe....

Konferenca e Donatorëve/ Ukrainës i premtohen 6.5 miliardë dollarë ndihma


Donatorët ndërkombëtarë kanë premtuar 6.5 miliardë dollarë për të mbështetur Ukrainën gjatë një konference në kryeqytetin polak Varshavë.

“Dita e sotme ka treguar se mbështetja jonë për Ukrainën vazhdon dhe se këtu nuk ka egoizëm mes nesh.”– tha kryeministri polak Mateusz Morawiecki gjatë fjalës së tij përmbyllëse, citon BBC.

Paratë u zotuan nga vende anembanë botës, mes të cilave edhe Shqipëria si dhe nga bizneset dhe bankat.

Morawiecki tha se Ukraina ka nevojë për 12 mijë ton ndihmë humanitare çdo ditë, por aktualisht përpjekja ndërkombëtare po siguron vetëm 3 mijë ton, ndërsa agjencitë ndërkombëtare të ndihmës vlerësojnë se rreth 40% e popullsisë së Ukrainës ka nevojë për ndihmë humanitare.

Duke iu drejtuar konferencës përmes një lidhjeje me video, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi tre elementë të mbështetjes:

  1. Burimet financiare për të mbështetur nevojat humanitare të qytetarëve ukrainas ndërkohë që lufta vazhdon.
  2. Përgatitja e një plani rindërtimi në shkallë të gjerë që do të ishte i ngjashëm me Planin Marshall pas Luftës së Dytë Botërore.
  3. Statusi i menjëhershëm i kandidaturës në BE për Ukrainën.

Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal tha se Ukraina ka marrë mbi 12 miliardë dollarë armë dhe ndihmë financiare që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.