Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i OKB-së: Përdorimi i armëve bërthamore i pajustifikueshëm


Në seancën speciale të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Ukrainën, e cila po mblidhet në Nju Jork, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres pritet të bëjë thirrje që luftimet të ndalen.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së sipas BBC-së, do të thotë se bota po përballet me një tragjedi për Ukrainën, por edhe me një krizë të madhe rajonale me implikime “potencialisht katastrofike“.

BBC shkruan se Guterres në fjalimin e tij do të përshkruajë vendimin e Putinit për të vendosur forcat bërthamore ruse në gatishmëri të lartë të dielën si “një zhvillim rrëqethës” dhe se ideja e një konflikti bërthamor është “thjesht e paimagjinueshme”.

“Asgjë nuk mund të justifikojë përdorimin e armëve bërthamore. Ne përballemi me atë që mund të bëhet lehtësisht kriza më e keqe humanitare dhe e refugjatëve në Evropë në dekada, me numrin e refugjatëve dhe të zhvendosurve të brendshëm që shumëfishohen në minutë.”- thuhet në mesazhin e Guterres, sipas BBC-së.

Guterres pritet të thotë se sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, duhet të respektohen.