Vendosni fjalën kyçe....

Zvicra heq dorë nga statusi i “neutralitetit”, mbështet sanksionet e plota të BE-së kundër Rusisë


Zvicra është tërhequr nga qëndrimi i saj i mëparshëm “neutral” duke vendosur të miratojë gamën e plotë të sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian kundër Rusisë.

Kujtojmë se Zvicra neutrale kishte refuzuar më parë ngrirjen e aseteve të individëve dhe kompanive ruse. Por qeveria tani ka vendosur që një qëndrim i tillë nuk është më i pajtueshëm me ruajtjen e neutralitetit të saj në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës.

Lajmin e bëri të ditur vetë presidenti zviceran Ignazio Cassis, i cili e quajti pushtimin rus të Ukrainës një “sulm ndaj sovranitetit, lirisë, demokracisë dhe popullsisë dhe institucioneve të një vendi të lirë”, i cili preku edhe Zvicrën. “Të luash në duart e një agresori nuk është neutrale.”- shtoi ai, citon Swissinfo.

Kështu Zvicra tani do të bllokojë asetet e 363 individëve dhe katër subjekteve korporative ruse. Këtu përfshihen presidenti rus Valdimir Putin, kryeministri Mikhail Mishustin dhe ministri i jashtëm Sergii Lavrov.

Gjithashtu të hënën, Zvicra ndoqi shembullin e vendeve të tjera evropiane në mbylljen e hapësirës së saj ajrore ndaj fluturimeve ruse.

Shteti alpin ishte përballur me presion brenda dhe jashtë vendit për të ndjekur shtetet e tjera në vendosjen e sanksioneve të plota ndaj Rusisë.