Vendosni fjalën kyçe....

Biden: I gatshëm të flas me Putinin nëse dëshiron t’i japë vërtetë fund luftës në Ukrainë


Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të enjten se është i gatshëm të flasë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, nëse ai vërtet dëshiron t’i japë fund luftës.

Kjo është deklarata e parë e këtij lloji e presidentit amerikan që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës.

“Jam i përgatitur të flas me Putinin, nëse njëmend ai ka interes që të gjejë një mënyrë për t’i dhënë fund luftës. Ai nuk e ka bërë këtë ende”, tha Biden në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij francez, Emmanuel Macron.

Shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara, William Burns, takoi më 14 nëntor në Turqi homologun e tij të inteligjencës ruse, Sergey Naryshkin.

Takimi mes tyre shënon takimin më të lartë ballë për ballë midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë, që para se Putini të urdhëronte pushtimin e Ukrainës.

Më 8 nëntor SHBA-ja tha se është “në interesat” e Uashingtonit të mbajë kontakte me Kremlinin.