Vendosni fjalën kyçe....

Kapen 83.5 kg herionë në Kosovë


Në Terminalin Doganor të Hanit të Elezit, autoritetet ligjzbatuese kanë kapur 83.5 kilogramë drogë, që dyshohet të jetë e llojit heroinë.

Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Ferizaj, Shukri Jashari, deri më tani janë arrestuar shtatë persona.

Ai tha se të arrestuarit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, ndërkaq dy të tjerë janë ende në kërkim.

Jashari tha se droga u gjet gjatë kontrolleve të doganierëve në një maune që ishte nisur nga Turqia.

Sipas tij, destinacioni i drogës, që ishte fshehur në disa reflektorë, ishte Prishtina.

“Gjatë kontrollit të Doganës së Kosovës është dyshuar se në mjetin transportues, përveç mallrave të ndryshme, kanë qenë edhe 32 reflektorë, ku në to të paketuara kanë qenë nga pesë qese, të dyshuara me substancën e llojit heroinë – gjithsej 160 paketime”, tha Jashari në një konferencë për media.

Zyrtarë të Doganës dhe Policisë bën të ditur se aktualisht janë duke u zhvilluar bastistje në pesë lokacione në Prishtinë dhe Pejë dhe se deri më tani kanë sekuestruar mallin që ishte në maunen ku u gjet droga, si dhe dy vetura të tjera.