Vendosni fjalën kyçe....

“Komplet rastësi”- Meta reagon pas deklarates së ministres për kontrollet në bizneset e Agron Dukës: Ha, Ha Ha, domosdoshmëria çan rrugën përmes rastësisë


Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar me ironi pas deklaratës së ministres së Ekonomisë Delina Ibrahimajt, se kontrollet e kryera në bizneset e Agron Dukës, janë thjesht një rastësi dhe nuk kanë lidhje me debatet lidhur me Federatën Shqiptare të Futbollit, që drejtohet nga vëllai i tij Armand Duka.

Ndërsa shpërndan deklaratën e Ibrahimajt, Meta thotë se domosdoshmëria e çan rrugën përmes rastësisë. 

“Domosdoshmëria e çan rrugën përmes rastësisë kemi mësuar dikur në shkollë. Qenka e vërtetë. Apo jo? Ja një provë se si rastësia i ka çarë rrugën domosdoshmërisë. Ha Ha Ha”- shkruan Meta.

Pak më herët, në një dalje për mediet gazetarët e pyetën ministren Ibrahimaj se përse u zhvillua kontroll në bizneset e deputetit Duka dhe nëse kishte lidhje me debatet në FSHF-në e drejtuar nga vëllai i tij, Armand Duka.

“Në fakt administrata tatimore funksionon në bazë të ligjeve dhe procedurave tatimore. Rasti në fjalë është rastësi që ndodh pikërisht në këtë moment, pasi vjen në zbatim të një denoncimi dhe një sërë denoncimesh të ardhura, të cilat administrata shtetërore duhet t’i verifikojë brenda një afati 7 ditor.
Ka qenë komplet në zbatim të procedurave dhe planit të punës të administratës. Subjekti që ju përmendët, por dhe subjekte të tjera, janë subjekte të kontrolleve të shpeshta tatimore, për të ezauruar të gjitha denoncimet, me qëllim përmbushjen e objektivave të administratës për uljen e informalitetit dhe objektivave të tjera që ju i dini tashmë.”-
u përgjigj ministrja Ibrahimaj.