Vendosni fjalën kyçe....

Prokurori Arjan Ndoji flet nga spitali: Nuk i trembem askujt, atentati për shkak të detyrës sime


Prokurori Arjan Ndoji ka folur për herë të parë me mediet nga spitali, lidhur me atentatin që iu bë pasditen e 1 nëntorit në mbikalimin e Shkozetit.

Nga reparti i Ortopedisë në Spitalin e Durrësit, ku po kurohet, Ndoji tha se nuk i trembet askujt dhe se ia kishte lënë në dorë organeve të drejtësisë të zbardhin ngjarjen. Ai pranoi se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës së tij si prokuror, por tha se do të fliste në një moment tjetër për këtë.

“Ua kam lënë në dorë organeve të drejtësisë ta zbardhin ngjarjen. Unë nuk i trembem askujt, pasi nuk i kam borxhe askujt. Mediat kanë trilluar shumë histori për mua. Kam investuar 20 vite në punën time. Do flas në një moment tjetër për të gjithë ngjarjen, e cila ka ndodhur për shkak të Arjanit prokuror”, tha Ndoji për “News24”.

Pasditen e 1 nëntorit, prokurori Arjan Ndoji, miku i tij Aleksandër Laho (i njohur edhe si Rrumi i Shijakut) si dhe shoferi Andi Maloku, mbetën të plagosur pas një atentati me armë.

Ditën e djeshme lidhur me ngjarjen u arrestua Redjan Rraja, një mjek stomatolog i cili është i afërm i deputetit socialist Rrahman Rraja.