Vendosni fjalën kyçe....

Një vështrim kritik mbi librin ‘Të lirë’


Nga Lindita Komani

Nëntori i librit u pushtua mediatikisht nga lajmi që në treg po vinte një libër nga pedagogia dhe studiuesja e filozofisë, Lea Ypi. Botuesja e saj Dudaj foli për një libër që ajo e kishte pritur për 30 vjet. Entuziazmi për këtë libër në ardhje u ndje edhe në mediat sociale, me komente nga njerëz të cilët ende nuk e kishin lexuar, por i gëzoheshin përkthimit të tij të parashikuar në shumë gjuhë të botës.

Shumë nga ky entuziazëm u zhbë brenda pak ditësh: “Të lirë” u përurua në vilën e ish-diktatorit Hoxha dhe publiku i parë i përzgjedhur përmbante si të ftuar ekskluzivë kryeministrin dhe disa ministra të qeverisë së Shqipërisë.

Ndërkohë që tashmë në Britaninë e Madhe libri “Të lirë” i Lea Ypit është kandiduar për çmime në kategorinë “non-fiction”, në Shqipëri ku jeta nën komunizëm nuk është një temë e përtejbotës por një realitet i hequr në shpinë nga gjithsecili, dy muaj pas daljes në qarkullim të librit, një temë e rëndësishme e diskutimit është bërë pikërisht kjo: a është ky libër non-fiction apo fiction?

Jo larg frikës që kisha që pa e nisur, përshtypjet që më la libri, një tekst midis letërsisë, filozofisë histories dhe politikës, ishin të përziera. Arsyet për këto përshtypje të përziera do t’i shtjelloj si vijon.

VËREJTJE

Në tekstin që është paraqitur kudo në mediat ndërkombëtare dhe është kandiduar për çmime të zhanrit non-fiction, vërejta:

(1) Informacione të pasakta që tregojnë që ka pasur mungesë hulumtimi dhe kontrolli për konfirmim të dhënash nga ana e autores. Le të përmendim këtu disa raste për ilustrim:

Fq.29-31: Xhafer Ypi nuk ka qenë i pranishëm në librin e historisë për moshën për të cilën rrëfehet në libër (11 vjeç). Teksti i historisë nuk fillonte me historinë e Shqipërisë të vitit 1939. Pra ky fragment është i pavërtetë:

“Në shkollë po mësonim për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste gjatë LIIB dhe për bashkëpunimin e ish-kryeministrit të dhjetë të vendit.”

Fq.33: Po e njëjta lloj e pavërtete edhe këtu:

“Librin e historisë e shtrëngoja fort në dorë, të hapur pikërisht në faqen me fotografinë e ish-km.”

E pavërteta lidhur me Xhafer Ypin në librin e historisë për fëmijët e klasës së gjashtë mendoj se i ka shërbyer autores për t’i lehtësuar rrugën te lexuesi, i cili vihet në pozicionin e keqardhjes për një fëmijë që mund të pësonte një trauma nga përballje e kësaj natyre me realitetin. Ndërkohë asaj si rrëfimtare në vetë të parë e kësaj historie i shërben për të theksuar distancimin që kishte ajo nga personazhi historik në fjalë, për të cilin prindërit nuk i kishin treguar gjë që e kishte stërgjysh. Kjo e bën këtë një të pavërtetë me peshë në libër. Do t’i kthehem asaj sërish në pjesën e dytë të shkrimit.

Fq.33: Ora e letërsisë… nuk quhej letërsi por lexim për fëmijët në tetëvjeçare. Letërsi cilësohej në shkollë të mesme.

Kjo është një pasaktësi që mund të vihet re vetëm nga një lexues shqiptar që ka jetuar në kohë të komunizmit dhe që e mban mend që letërsia quhej lexim në shkollë tetëvjeçare. Ky lloj lexuesi mund të kuptojë që autorja, e cila edhe versionin në shqip e ka shkruar vetë, ka vrimë në kujtesë për një detaj të këtij lloji. Gjithashtu, lexuesit mund të kuptojë që edhe redaksia e librit në shqip nuk e ka bërë punën e vet deri në detaje, sepse redaktimi i librit në fund të fundit mes të tjerash për këtë gjë shërben, që të kapë pasaktësitë e autorit.

Fq.131: E pasaktë: Pluralizmi politik nuk u shpall më 12 dhjetor, por në pasditen e 11 dhjetorit 1990.

Fq.140: E pasaktë: RD për herë të parë nuk ka dalë në dhjetor 1990, por më 5 janar 1991.

Fq.278-279: Pjesa ku përmend piramidat dhe që kishin futur paratë te Populli, ka një të pavërtetë te dhënia e informacionit: nëse paratë familja e autores i ka pasur të investuara te Populli, atëherë nuk i ka humbur të gjitha. Paratë e grumbulluara nga Populli u arrit të konfiskoheshin më në kohë se në firmat e tjera piramidale dhe klientët e Popullit morën mbrapsht 50% të shumës që kishin investuar.

Fq.295: Për mbajtjen mbyllur të shkollave deri në qershor 1997: Në fakt shkolla u mbajt mbyllur deri në fund të prillit – 2 muaj, jo deri në qershor. Pastaj maj-qershor u bë mësim normalisht dhe fokusi ishte i plotë tek përgatitja e pyetjeve për provimet e maturës.

Pasaktësitë e llojit historik mund të duken të parëndësishme në pamje të parë, por duke qenë se autorja për të cilën flasim, është profesore në një universitet me emër në nivel ndërkombëtar, pikëpyetjet nuk janë për të si rrëfimtare fëmijë apo autore fillestare debutuese, por për të si hulumtuese, për më tepër hulumtuese e politikës. Le ta mendojmë kështu: nëse këtë tekst autorja do ta kishte si punim seminari në një lëndë në universitet, apo diplome për të marrë një titull, a do t’ia kishte pranuar një profesor historie apo politike pasaktësitë që ajo ka në tekst, apo do t’ia kishte kthyer për korrigjim? Këtu vlen përsëri të përmenden redaktorët. Ato që i kanë shpëtuar autores, mund të ishin kapur si nga redaktorët e shtëpisë botuese në Britaninë e Madhe ashtu edhe ata në Shqipëri. Fakti që nuk janë kapur, tregon që është bërë një punë e përciptë dhe pse jo e ngutshme për ta nxjerrë librin sa më pare në qarkullim.

(2) Moskonsistencë në rrëfim të kushtëzuar nga sjellja e paqartë e autores herë si fëmijë, herë si e rritur, herë si rrëfyese, herë si filozofe. Mendime që autorja 42-vjeçare mund të ketë tani kur kujton të shkuarën, i vendos në gojën e fëmijës personazh si pjesë të dialogjeve apo mendimeve:

Fq.17: Larg përfytyrimit të një fëmije:

“Çfarë duhej çmuar më tepër: një e vërtetë që të lëndonte apo një gënjeshtër që edhe mund të të lumturonte?”

Fq.20-21: Shpjegimi dhe vramendja për huliganët i tepruar për një fëmijë:

“Çfarë tiparesh mund të kishin huliganët e brendshëm me huliganët e jashtëm? Si duhej parë marrëdhënia midis tyre?”

Fq.54-55: Meditimet për Zotin, fenë dhe mësimet e komunizmit të ekzagjeruara për një fëmijë.

Fq.145-147: Diskutim i pabesueshëm dhe i ekzagjeruar midis dy vajzave 12-vjeçare për Zotin dhe partinë. Ngjajnë si mendime të një 40-vjeçareje të futura me forcë në trupin e një fëmije.

 “Që Partia ka bërë shumë gabime, kjo nuk mohohet. Prandaj tani kemi pluralizëm politik.”

“Epo këtë nuk mund ta ndryshojmë sipas qejfit sa herë t’u teket partive”, u përgjigja unë. Përndryshe çfarë i pengon partitë të fitojnë zgjedhjet duke bindur njerëzit se edhe Zeusi, madje edhe Athinaja ose ndonjë perëndi tjetër ekziston dhe se ne duhet t’ia fillojmë nga flijimet, njësoj si Grekët e lashtë?”

“Unë edhe socializmit i besoja. Mezi prisja të hynim në komunizëm. Besoja se kishim të drejtë ta luftonim shfrytëzimin e klasës punëtore dhe të mbështetnim pushtetin popullor. Tani prindërit e mi kanë teori të reja, thonë se ne paskëshim qenë nga ana tjetër e barrikadës së luftës së klasave.”

“Askush nuk beson më në socializëm. As vetë klasa punëtore”, tha e sigurtë Elona.

Apo më tej:

“Nuk më duhet fare nëse do t’i quajnë Krishtlindje, Vit i Ri, apo ndonjë gjë tjetër që nuk e kemi dëgjuar akoma”, ma priti Elona. “Të festojnë kë të duan. Kë të votojë populli. Zgjedhjet do të bëhen në ditë të diel. Të paktën si ditë nuk e kanë ndryshuar…”

Fq.150: Një ekzagjerim nga viti 1987 që ishte viti kur autorja (7 vjeç!!!) mbante mend zgjedhjet e fundit të zhvilluara në diktaturë, me ç’rast ajo kishte kryer këtë akt:

“Zgjedhjet e fundit që mbaja mend ishin zhvilluar në vitin 1987. Atë vit e kisha shkruar vetë vjershën që do te lexoja para kutisë së votimit. Isha bindur se, ndonëse e mitur, pena ime dhe pushka drejtuar armikut kishin simetri të plotë, qenë në fakt e njëjta gjë. Kjo bindje ama shoqërohej nga një lloj shqetësimi të ndrydhur, rreth fuqisë së plumbit që kisha zgjedhur, pra rreth forcës asgjësuese të poezisë që kisha bërë.”

Këto e të tjera ekzagjerime në libër e bëjnë leximin një përvojë jo të mirë. Befas si lexues kalon nga roli pasiv i shijimit të librit në rolin aktiv të kërkimit për të tjera ekzagjerime që të vrasin syrin dhe kujtesën. Nuk e kuptoj se pse autorja ka zgjedhur të dëmtojë materialin bazë të kujtesës së saj duke i bërë shtime e plotësime. Gjithashtu, problemi me ekzagjerimet është që në momentin që vëren disa të tilla, vë në dyshim gjithë materialin.

(3) Ekzagjerime dhe ngjarje e pohime të pamendueshme për kohën e diktaturës, sidomos në pjesën e parë të tij që lidhet me periudhën deri në vitin 1990, kur autorja Ypi ka qenë ende fëmijë dhe kujtesa është e kufizuar, gjë që bën të mendohet që këto pjesë të cilësuara si ekzagjerime të kenë dalë nga fantazia e autores, çka do të vinte në dyshim krejt vërtetësinë e librit dhe shtyllat mbajtëse të tij që janë figurat kryesore të tij. Le të përmendim këtu disa raste për ilustrim:

Fq.21: Mësuese Nora u ka folur fëmijëve për rënien e Murit të Berlinit? Ka qenë e pamendueshme që të ndodhte kjo.

“Sesi ishte përmendur në shkollë dhe mçsuese Nora na kishte thënë se bëhej fjalë për ndeshjen fatale midis imperializmit amerikan dhe social-imperializmit sovjetik, që reflektonin njëri-tjetrin si dy pasqyra shtrembaluqe të bëra copë e çikë.”

Fq.27: Gjykimi i saj mbi qëndrimin e të atit ndaj Vietnamit/Amerikës, etj, – I pabesueshëm për nga teprimi:

“Ndonjëherë e kisha të vështirë ta kuptoja nëse i besonte vërtet ato që thoshte, apo i përmendte politikat anti-imperialiste si me shaka.”

Fq.27: Ajo ka qenë shumë e vogël që të kishte orë informacioni politik. Këtë e ka arritur një brez më i madh, i 1977 maksimumi, sipas një kontrolli që bëra. Gjithashtu, krejtësisht e pamendueshme për kohën që te kjo ora e informacionit politik, autorja paska menduar të flasë për organizatën Solidarnosz.

Fq.41: Formulat e Vietës në algjebër – nuk ka lidhje që një fëmijë të kishte dëgjuar për to e jo më të shkruante:

“Përkundrazi dy pasionet e tij më të mëdha ishin të kërcente “si Aliu i vogël” dhe të bënte “magjinë e formulave të Vietës”, për të zgjidhur problemet e algjebrës.”

“E dyta ishte një lloj torture që vazhdonte për ditë dhe javë të tëra, aq kohë sa lypsej që dashuria e tim eti për formulat e Vietës dhe urrejtja ime për to të vendoseshin në përpjestim të drejtë me njëra-tjetrën.”

Fq.45: Përshkrimi për të ëmën, sidomos pjesa kur do të lindte autoren e librit:

“Thuhet se ditën që duhej të shtrohej në spital për të lindur, u kyç në banjë për të rregulluar flokët me një stil që e kishte parë në televizor pak kohë më parë, stilin e dikujt që sapo ishte zgjedhur kryeministrja e parë grua në Britaninë e Madhe.”

Fq.52: Shpjegimi që mësuesja jep për Zotin është e pamundur të ketë ndodhur në një orë mësimi komuniste. Në rastin më të mirë, mësuesen do e kishin pushuar nga puna.

Fq.92-93: Rrëfimi për fëmijët turistë i ekzagjeruar, më së pari se këtu nuk vinin fare si turistë fëmijë. Edhe i thotë edhe njërit prej tyre:

“Woher kommen sie?”

Mirë frëngjishten që e mësoi nga gjyshja, po gjermanishtja nga doli? Pjesa e rrëfimit me turistët francezë ngjan e tëra e stisur.

Fq.108: Diskutimi për revolucionet: i ekzagjeruar, i stisur e çfarë tjetër t’i thuash. Autorja thotë:

“I imi ishte si frut fiku, ndërsa si revolucion ai Bolshevik.”

I ati pikërisht në këtë pjesë i thërret për herë të parë Brigatista. Këtu autorja shprehet se me kalimin e kohës kuptoi që fjala brigatista kishte lidhje me rrëmujaxhi. Gjoja i ati i thërriste:

“Eja këtu, brigatista, shiko ç’ke bërë” ose “Je vonë, zgjohu brigatista” ose “Brigatista, prapë nuk i paske bërë detyrat e shtëpisë, si do të shkojë ky halli yt?”

Me këto që ka shkruar, e bën të atin dashur padashur adhurues terroristësh. Figura e të atit është vazhdimisht në pikëpyetje për vërtetësinë e saj, madje ndoshta është më e diskutueshmja ndër gjithë figurat e librit.

Edhe këtu vlen e njëjta gjë lidhur me ekzagjerimet. Ato dëmtojnë materialin bazë dhe kur bëhen disa të tilla, të bëjnë të vësh në dyshim gjithë materialin.

(4) Marrje për hunde e lexuesit letrar që impresionohet nga përjetimet e një vajze të vogël dhe nga përshkrimi i tyre në formë letrare, për ta shpënë në mënyrë abuzive, të paargumentuar dhe jologjike drejt përfundimeve teorike filozofike të majta të autores, për të cilat ajo shpreson një realizim në jetën reale.

Dështimin 7-vjeçar të Shqipërisë të sapodalë nga diktatura 45-vjeçare të komunizmit, autorja e përkthen në justifikim se pse rruga e saj teorike e majtë është ajo që është e drejta. E vetmja mundësi që një krahasim dështimi sistemesh të ishte i besueshëm, do të ishte sikur ai të kishte ndodhur pas 45 vitesh zbatimi të sistemit kapitalist në Shqipëri dhe ky krahasim të bëhej jo me empirinë manipuluese të një libri me materie të papërcaktuar, një tekst midis letërsisë, filozofisë, historisë dhe politikës, por me një studim të mirëfilltë shkencor ku do të krahasoheshin sistemet në çdo fushë të jetës.

INDINJIM

“Të lirë” është i pari libër i shkruar nga një pinjolle e një familjeje të persekutuar, drejtpërdrejt në anglisht dhe për një platformë të pakrahasueshme lexuesish me ato që mund të kenë pasur mundësi autorë të tjerë shqiptarë deri më sot, por ai nuk paraqiste fare reflektim lidhur me tri çështje të rëndësishme:

(i) Toni i lehtë i humorit që vazhdimisht shoqëron leximin e librit është komentuar në përgjithësi pozitivisht, sidomos për publikun e huaj, i cili për realitetin shqiptar në kohë të diktaturës po lexon për herë të parë në mënyrë kaq divulgative dhe dhe kaq shumë të promovuar në nivel ndërkombëtar. Këtë lloj shkrimi mbi komunizmin nga përvoja personale dhe në mënyrë shumë humoristike e ka bërë para shumë vitesh shkrimtarja kroate Slavenka Drakulić. Me librin e saj “How We Survived Communism and Even Laughed” është e pamundur të mos qeshësh. Por motivi për të cilin Drakulić e ka shkruar këtë ese, është krejt një tjetër nga ai për të cilin Lea Ypi duket se e ka shkruar librin. Sikurse është shprehur ajo në disa intervista, ishte shtëpia botuese që iu drejtua asaj me propozimin të shkruante një libër të llojit divulgativ për teoritë e saj, i cili në rrugë e sipër u kthye në një libër shumë personal.

Këtu duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm. Regjimi i Titos në Jugosllavi për asnjë çast nuk ishte i krahasueshëm për nga egërsia me atë të Enver Hoxhës në Shqipëri. Gjithashtu duhet të bëjmë një krahasim të rëndësishëm, të cilin autorja si njohës e filozofëve gjermanë dhe ma merr mendja pjesërisht edhe të kulturës gjermane, duhet ta kuptojë mirë. Në Gjermani që prej mbarimit të Luftës II Botërore e deri më sot, pra në 77 vjet asnjë autori, asnjë filozofi, asnjë shtëpie botuese nuk i shkon nëpër mend të sjellë në kujtesë në mënyrë humoristike Adolf Hitlerin. Përndjekja që Enver Hoxha i ka bërë të papëlqyerve nga regjimi i tij është e krahasueshme me atë që Hitleri u bëri hebrenjve. Dhe njerëzit drejtpërdrejt të përndjekur, burgosur e internuar nga ai regjim janë ende gjallë, një pjesë ndoshta në moshën e autores, madje edhe më të rinj se ajo. Dhe termi që përdoret në Gjermani për pasojat e veprimeve dhe shkrimeve që zbusin përshtypjen për regjimin Hitlerian, është Verharmlosung des Bösen që në shqip mund të sillej si “zvogëlim/zbutje i/e së keqes”. Dashur-padashur, toni i humorit në librin “Të lirë” e ka këtë efekt.

(ii) dorëzimin që kryeministri Ypi i bëri shtetit shqiptar në duart e Italisë fashiste, gjë nga e cila ajo vazhdimisht merr distancë në libër sikur të mos ketë të bëjë me të. Por ky distancim i saj humbet krejt vlerën kur ajo merr qartësisht qëndrim lidhur me pasardhësin e mbretit Zog, pavarësisht se këtë e bën me gojën e Leas 17-vjeçare. Nga kjo mund të kuptohet qartë që autorja reflekton vetëm për gjërat që i interesojnë asaj, jo për ato ku preket ajo personalisht. Le të thërrasim këtu në kujtesë faktin historik, që nëse kryeministri Ypi dhe njerëz të tjerë pranë tij nuk do t’ia kishin dorëzuar në tabaka Shqipërinë Italisë fashiste, rrjedha e historisë sonë mund të kishte qenë një tjetër;

(iii) dëmin e pakrahasueshëm që ideologjia komuniste dhe zbatimi i tij në Shqipëri i bënë individit dhe shoqërisë shqiptare, jo vetëm me vuajtjen nën diktaturë por edhe me pasojat e rënda që i vuajmë edhe sot. Si filozofe, në një libër non-fiction, në të cilin nxirren përfundime të rëndësishme në rrafshin politik, është një mangësi e rëndësishme që një nga produktet kyçe dhe të llahtarshme të diktaturës, e pikërisht Njeriun e Ri dhe pasojat që ai la në shoqëri, autorja nuk e merr fare në analizë, ndonëse kjo analizë është e domosdoshme për të pasur një shtjellim realist dhe jo vetëm idealist pjesën përfundimtare të librit ku autorja në rolin e filozofes propozon rrugën e saj të socializmit si zgjidhje për të ardhmen. Nuk e njeh autorja këtë produkt të diktaturës komuniste shqiptare? Nga ana teorike autorja është e pamundur të mos e dijë se ç’është Njeriu i Ri, sepse është pjesë e edukimit teorik socialist. Ndërkohë ka lexues shqiptarë që mund ta interpretojnë që edhe pse pa e përmendur me emër, Njeriu i Ri është i pranishëm qartësisht në këtë libër përmes vetë personazhit të Leas fëmijë. Edhe nëse ky është rasti, kemi dy probleme:

  • Për të gjithë lexuesit shqiptarë që janë në moshë të re dhe nuk e dinë se ç’është Njeriu i Ri, nëse ky Njeri i Ri nuk përmendet me emër, atëherë atyre u humbet një element thelbësor i kuptimit të socializmit. Atyre mund t’ua shpjegojnë prindërit apo mësuesit/pedagogët në rast se ata i pyesin, ose e dëgjojnë në një debat në media, por vetëm kaq. E njëjta gjë vlen edhe për lexuesit e huaj, shtetet e të cilëve kanë kaluar nëpër të njëjtin lloj sistemi socialist si Shqipëria (pra praktikisht vendet e Europës Lindore).
  • Për të gjithë lexuesit e huaj perëndimorë mospërmendja e Njeriut të Ri është një fshehje që mund të konsiderohet e qëllimtë. Ata nuk kanë nga ta dinë se ç’ishte Njeriu i Ri dhe në një libër të një profesoreshe filozofie është afër mendjes që ata do e prisnin një sqarim të tillë në një libër mbi 200 faqe.

Nëse libri nuk do të mbyllej më përsiatje filozofike që shkojnë drejt teorisë politike, atëherë nuk do të kishte arsye për indinjim, por duke qenë se të tilla përsiatje ndodhin por bëhen në mënyrë të përzgjedhur dhe të këtilla që të legjitimojnë teorinë që ka në mendje autorja, atëherë për indinjimin ka vend.

Në këtë këndvështrim, libri është një zhgënjim i madh dhe me të drejtë ka shkaktuar kundërshtim të fortë në Shqipëri, kundërshtim të cilin autorja Ypi ka dashur ta shuajë me një intervistë në Guardian, në të cilën ajo i jep vëmendje vetëm sulmeve personale që mund të ketë marrë. Ajo, pa bërë diferencim mes kritikave të vërteta dhe sulmeve personale, e kulmon qëndrimin e saj në intervistë duke iu referuar kritikëve të saj “en block” si:

“It’s a minority but it’s so vocal and so personal and so vicious, it affects you a lot more than the other responses which have been overwhelmingly positive.”

“Është një minoritet por është kaq i zëshëm dhe kaq personal dhe kaq i ligë, sa të prek shumë më tepër sesa reagimet e tjera që kanë qenë në masë dërrmuese pozitive.”

dhe

“It’s exactly the same kind of people who were bullying me when I was a child that are doing it now”

“Është ekzaktësisht i njëjti lloj njerëzish që më kanë kanë ngacmuar kur isha e vogël që po e bëjnë këtë tani.” (Këtu e ka fjalën për ata që në libër shprehet se e ngacmonin pse fliste frëngjisht.)

Le të thërresim në vëmendje për një çast sesi një tjetër autore bashkëkohore si Luljeta Lleshanaku, e cila po ashtu vjen nga një familje e persekutuar rëndë nga të dy anët, nuk është ndeshur me asnjë kundërshtim në shkrimet e saj letrare lidhur me diktaturën komuniste, të cilat në tërësinë e tyre bëjnë pikërisht këtë që ka bërë edhe Ypi, që analizojnë terrorin dhe horrorin diktatorial komunist nga sytë e një fëmije që rritet gradualisht teksa vitet kalojnë dhe dhuna vijon e njëjtë ose shndërrohet në forma të tjera. Është e lehtë të kuptohet arsyeja. Lleshanaku nuk abuzon me inteligjencën dhe kujtesën e lexuesit shqiptar.

Publiku ndërkombëtar është një çështje krejt e ndryshme nga ai shqiptar. Ky lexues ka dijeni shumë të cekët ose aspak dijeni për “vrimën e zezë” që ishte Shqipëria diktatoriale në hartën e botës dhe atij mund t’i japësh çdo gjë dhe do ta pranojë si të vërtetë kur: (1) vjen nga një shtëpi botuese britanike me prestigj; (2) kur promovohet në mediat britanike dhe të tjera në mënyrë të pareshtur, gjë që sigurisht është e mundur për shkak të fuqisë së shtëpisë botuese dhe agjentëve letrarë dhe (3) kur vjen nga një person me kredenciale akademike.

SHEMBUJ TË NJOHUR MEMUARESH PROBLEMATIKE

Duke hulumtuar mbi problemet e memuareve me të vërtetën, diferencën mes tyre dhe autobiografive dhe autobiografive kreative, u ndesha me disa raste memuaresh të cilët kanë bërë shumë bujë në vitet e shkuara për përpjekjen që përmes tyre autorët të siguronin më shumë vëmendje për librat që kanë shkruar. Tre prej tyre madje janë përfshirë edhe në lista që mbajnë titullin si “Literary Hoaxes” nga Time apo New York Times. Duke qenë se për herë të si publik shqiptar për shkak të librit “Të lirë”, po ballafaqohemi me zhanrin memuar, mënyrën sesi ai shkruhet (shkrime të studiuesit Ardian Vehbiu në ditët e fundit në Peizazhet e Fjalës: FICTION NË MEMOIR, MEMUARI – PËRSIATJE TEORIKE (I) MEMUARI – PËRSIATJE TEORIKE (II)) dhe mënyrën sesi ai promovohet (me gjithë mediat e huaja dhe vendase që po raportojnë dhe komentojnë për të), mendojmë që me rastin e këtij shkrimi, ta plotësojmë kuadrin dhe t’i paraqesim këto raste të memuareve që u kthyen në skandale.

Në të parin prej rasteve, autori Herman Rosenblatt, i mbijetuar i Holokaustit, në memuarin e tij “Angel at the fence – Engjëll tek gardhi”, i cili ngrihet tërësisht rreth historisë së takimit të tij me të shoqen e cila i sillte bukë e mollë nga përtej gardhit në kampin Buchenwald, kishte mashtruar jo pak, por pikërisht për këtë pjesë që është baza e librit. Disa studiues të Holokaustit kishin ngritur pikëpyetje lidhur me mundësinë e takimeve të kësaj natyre në kampin Buchenwald, për shkak se planimetria e kampit e bënte të pamundur një gjë të tillë.

The New Republic publikoi një artikull të gjatë lidhur me librin dhe më në fund Rosenblatt e pranoi që ishte një shpikje e tij duke thënë se: “Ai donte t’i bënte njerëzit të lumtur”. Edhe një tjetër autor, Misha Defonseca, i cili kishte shkruar “A Memoir of the Holocaust Years – Një memuar i viteve të Holokaustit” shokoi njerëzit pasi u konfirmua që çfarë ai përshkruante në libër sesi ishte arratisur e kishte shpëtuar dhe ishte rritur nga ujqërit, ishte vetëm një gënjeshtër.

Në rastin e dytë që do të përmendim në këtë shkrim, autorja Margaret B. Jones e memuarit “Love and Consequences – Dashuri dhe pasoja” kishte mashtruar publikun jo pak, por duke pretenduar se ishte një vajzë e bardhë/indiane e rritur në një familje zezake në një zonë plot me banda dhe drogë në Los Angeles. Kur memuari u kthye në bestseller dhe fotografia e autores përfundoi në New York Times, e motra e pa dhe kuptoi gënjeshtrën e madhe. E pretenduara Margaret Jones ishte në fakt Margaret Seltzer, një vajzë e rritur krejt normalisht në San Fernando Valley nga prindërit e saj biologjikë.

Megjithatë, ndoshta rasti më i bujshëm i një memuari të gënjeshtërt, është ai i James Frey “A Million Little Pieces – Një milion copëza”, i publikuar në vitin 2003. Në vitin 2005 ky memuar u prezantua nga Oprah Winfrey në klubin e saj të librit dhe brenda pak ditësh nga emisioni u bë një bestseller në përmasa mbi 1 milion kopje të shitura. Në të autori rrëfen për sfidat në jetën e tij të vështirë si i droguar. Portali The Smoking Gun ndërmori një hulumtim të hollësishëm duke nisur me kontaktimin e policisë për të mësuar për arrestimin e tij, kontrollin e rekordeve të gjyqeve dhe intervista me gardianë. Prej aty kishte zbuluar kaq shumë gënjeshtra në përmbajtjen e librit sa ai shpejt mori titullin “A Million Little Lies – Një milion gënjeshtra të vogla”. Oprah Winfrey e thirri në emision dhe e ballafaqoi me gënjeshtrat e tij. Sipas New York Observer (2003) por edhe një interviste të Guardian (2006), autori si fillim e kishte paraqitur librin e tij si roman në 17 shtëpi botuese, të cilat e kishin refuzuar.

Në vijim, një shtëpi botuese kishte pranuar ta botonte jo si roman por si memuar, kjo sipas tij për shkak se tani librat non-fiction janë më popullorë sesa ata fiction. Pas shpërthimit të skandalit, për autorin pati disa pasoja. Shtëpia botuese dhe agjencia letrare që e përfaqësonin e ndërprenë marrëdhënien me të. Warner Brothers që kishte vendosur të bënte një film bazuar mbi librin, u tërhoq nga oferta. Libri megjithatë vijoi të shitej, por shoqëruar nga një shënim me kërkesë për ndjesë nga autori dhe librarët e zhvendosën libri nga seksioni non-fiction tek ai fiction.

PIKËPYETJE

Mbase libri “Të lirë” do ta bëjë autoren shumë të famshme, mbase një ambasadore të re shqiptare nëpër botë, mbase kureshtja e të huajve nisur nga ai do të sjellë më shumë vizitorë në Shqipëri, mbase të gjitha ose asgjë prej këtyre nuk do të ndodhë.

Autorja në një intervistë të fundit për TiranaPost shprehet se libri ka fiction brenda tij, se kufiri sot mes non-fiction dhe fiction është gjithmonë e më poroz. Ndryshe nga intervista të mëhershme, ajo në këtë intervistë i mëshoi më shumë anës së saj si shkrimtare sesa si filozofe në këtë intervistë dhe libri i saj i cilësuar non-fiction ishte papritmas vepër arti. Një kthesë e rëndësishme në narrativën e promovimit të tij në Shqipëri.

Por megjithatë, në mbyllje të leximit dhe ende sot unë mbetem me pyetje të tilla që e vënë krejt librin në pikëpyetje, si përmbajtjen ashtu edhe formën e tij. Dhe me këto pyetje që duke iu referuar përmbajtjes së këtij shkrimi mund të shihen edhe thjesht si retorike, e mbyll si vijon:

Sa doza fantazie ka hedhur autorja Ypi në çdo faqe të tij?

Sa pranë realitetit qëndrojnë shtyllat mbajtëse të librit? Figura e babait? E gjyshes? E nënës? Po personazhet dytësore, duke nisur me fqinjët, shoqet e shkollës, rrugaçin e lagjes e të tjerët? Po personazhet episodike: shitësja në dyqanin e valutës, turistët e huaj e të tjerët?

Duke vënë në dukej se për ironi të fatit në të njëjtën kohë me “Të lirë” u botua edhe libri “Jetë burgu” i intelektualit dhe ish-të burgosurit politik Fatos Lubonjës, si e vlerëson autorja efektin dashur-padashur të librit të saj për “Verharmlosung des Bösen”?

Sa respekt ka autorja për lexuesin? Duke parë reagimin e saj në Guardian për kritikat e marra në Shqipëri, si e percepton autorja lirinë e lexuesit për të arritur lirisht në përfundimet e veta lidhur me cilësinë e tij?

(c) 2022 Lindita Komani. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa leje.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Peizazhe.com