Vendosni fjalën kyçe....

Ndërprerja e fondeve për ekselentët/ Rama: Nuk e kanë marrë mundimin as të çojnë një mesazh dhe të thonë që “gjetëm një punë që s’e refuzojmë dot”


Në qytetin e Fierit ku mbajti një takim me të rinjtë, kryeministri Edi Rama foli për vendimin e tij për të ndërprerë fondet për studentët ekselentë që studiojnë jashtë me financat e shtetit.

Ai u shpreh se marrëveshja me shtetin ka qenë që ata pas përfundimit të studimeve të kthehen dhe të kontribuojnë këtu. Dhe ata nuk e kanë bërë këtë. Rama shprehet i keqardhur, duke thënë se këta të rinj as nuk kanë marrë mundimin të dërgojnë një mesazh për të thënë që nuk do kthehen.

“Ka qenë një nismë me qëllim të mirë, një fond për të mbështetur ekselentët që studiojnë jashtë në universitetet më të mira të botës. Me atë fond janë financuar rreth 20 studentë shqiptarë, nga të cilët askush, asnjë pasi ka marrë lekët e shtetit nuk është kthyer t’i shërbejnë vendit, pavarësisht se kushti ka qenë shteti do të paguajë studime të shtrenjta dhe ti do vish të kontribuosh.

Jo vetëm që nuk janë kthyer por nuk e kanë marrë mundimin të çojnë një letër apo një mesazh që të thotë kam gjetur një punë në një kompani të madhe. Këta janë shqiptarë shumë të talentuar dhe të zotë por në këtë pikë e kanë prishur, sepse fare mirë mund të thoshin që ‘unë e mbarova shkollën, nuk vij dot, mora një punë që nuk e refuzoj dot’.

Ne vendosëm ta ndërpresim këtë fond dhe këto para t’ja japim ekselentëve këtu. Por jo ekselentëve nga 9 deri në 10, por ekselentë që janë realisht me të gjitha 10.”– tha Rama.