Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky i Ukrainës takim të fshehtë me shefin e CIA-s


Kreu i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane, William Burns, është takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe përfaqësues të shërbimeve të inteligjencës së Kievit javën e kaluar.

Ky raport u publikua të hënën nga CNN.

Sipas gazetës amerikane, udhëtimi sekret i Burns ishte planifikuar shumë kohë më parë dhe nuk ishte një takim urgjent i bazuar në tensionet aktuale që po zhvillohen midis Ukrainës dhe Rusisë, që disa analistë besojnë se mund të çojë në luftë.

Takimi midis shefit të Uashingtonit dhe presidentit ukrainas vjen në të njëjtën kohë kur një grup senatorësh amerikanë nga të dyja partitë Demokratike dhe Republikane vizituan gjithashtu Kievin.

Sipas CNN, Burns “u konsultua me homologët e inteligjencës mes shqetësimeve për një pushtim të mëtejshëm të Ukrainës nga Rusia”. Ata gjithashtu “diskutuan vlerësimet aktuale të rrezikut për Ukrainën” dhe “patën mundësinë të diskutojnë situatën aktuale me Presidentin Zelensky dhe përpjekjet për të de-përshkallëzuar tensionet”.

Në muajt e fundit, mediat perëndimore, zyrtarët dhe analistët kanë sugjeruar se një pushtim rus i Ukrainës është i afërt. Kjo është përkeqësuar javët e fundit nga pretendimet se 100 mijë ushtarë rusë janë aktualisht në kufi, duke u përgatitur për veprime ushtarake.

Kremlini ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të sulmuar dhe ka sugjeruar se NATO po përdor spektrin e “agresionit rus” si një pretekst për të vendosur më shumë pajisje ushtarake në rajon.