Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i PD-së: Ministria e Financave s’publikon prej 19 marsit transaksionet e Thesarit, ç’po fsheh?!


Partia Demokratike ka kërkuar transparencë nga Ministria e Financave e cila sipas saj nuk ka publikuar transaksionet e Thesarit.

Në në një deklaratë për mediat Marinela Ziu, anëtarja e kryesisë, tha se që prej 19 marsit nuk është publikuar asnjë e dhënë.

Ziu shkruan se përveç lejeve të ndërtimit, investimeve strategjike, ankandeve, subvencioneve e qirave të pronave shtetërore, tashmë nuk publikohen as lëvizjet në Thesar.

“Prej datës 19 mars, qytetarët më të varfër dhe më të vjedhur të Europës, faktuar kjo nga çdo raport nderkombetar, e kanë të pamundur të monitorojnë shpenzimet e qeverisë, pasi Ministria e Financave për të disatën herë dhe pa asnjë lajmërim, nuk publikon transaksionet e thesarit. Listës së kontratave koncesionare e prokurimeve publike që nuk publikohen e Ligjeve e Vendime të Këshillit të Ministrave që publikohen me vonesë në Fletore Zyrtare, mjegullnajës e territ të informacionit me lejet e ndërtimit, investimet strategjike, ankandet, subvencionet, qiratë e pronave shtetërore e çdo kontrate tjetër publike, tashmë prej javësh i shtohen edhe transaksionet e thesarit.” – denoncoi Ziu.

Ajo tha më tej se nuk dihet nëse mospublikimi ka të bëjë me mungesën e transparencës apo mungesës së parave në buxhetin e shtetit.

“Fatkeqësisht, transaparenca është në ditët e saj më të errëta edhe për faktin e mungesës së financimit të projekteve antikorrupsion si dritare informacioni e aksesueshme lehtësisht, duke kontribuar në monitorimin e shpenzimeve të qeverisë jo vetëm nga media e gazetarë por mbi të gjitha nga qytetarët shqiptarë. Ҫfarë po kërkon të fshehë qeveria nëpërmjet mungesës së transparencës me transaksionet e thesarit. Transaksione dhe rimbursime që duhet të mbahen jashtë vëmendjes së publikut apo mungesë parash në buxhetin e shtetit?! Nga dita e saj e parë, ko qeveri ka thyer çdo rekord të mungesës së transparencës, e cila në çdo rast është shoqëruar me një megaaferë korruptive që do t’i kushtojë miliardat e radhës xhepave të qytetarëve shqiptarë.” – mbylli denoncimin anëtarja e kryesisë së PD-së.