Vendosni fjalën kyçe....

Basha zbret në bazë, sot takim me strukturat në Dibër


Kreu i PD-së Basha pritet të nisë një tur në bazë duke zhvilluar takime me strukturat.

Ditën e sotme kryedemokrati ka shkuar në Dibër për t’u takuar me demokratët,  të cilët i kishin pregatitur edhe një pankartë me tekstin: “Kryetar Basha, ju mirëpret Dibra juaj”.

Këto takime vijnë pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, ku ai u kërkoi të gjithë drejtuesve të ishin të gjithë sa më parë në terren, për të vijuar aksionin politik.

“Ata janë njerëz që kanë sakrifikuar dhe janë të zhgënjyer me ne. Por ne duhet të punojmë me ta, t’i bindim e të bëhemi bashkë”– tha Basha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Në qendër të axhendës politike të Bashës, është Aleanca Qytetare për Demokracinë, tashmë e miratuar nga Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit që u thirr nga ai.

Përmes kësaj synohet hapja e mëtejshme e PD-së dhe afrimi me grupe të ndryshme shoqërore, nëpërmjet një dialogu dhe bashkëpunimi që tejkalon marrëdhëniet klasike midis partive politike dhe grupeve të interesit.

Kujtojmë se përpara Bashës, ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha i cili ka zbritur përsëri bazë javë më parë për të mbledhur firmat në kuadër të “Foltores” për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që u mbajt më 11 Dhjetor dhe u vendos për shkarkimin e kryetarit.

Po ashtu më 18 Dhjetor, në ditën ku u mbajt Kuvendi i thirrur nga Basha u votua në atë që u quajt “referendum” nga Berisha për ratifikimin e atij vendimi, që nuk u njoh nga Basha dhe mbështetësit e tij në selinë blu. Pas zhvillimeve të fundit Berisha përsëri ka zbritur në terren, dje në Durrës e sot në Vlorë./Hashtag.al