
Çmimet e naftës janë rritur sërish në tregjet aziatike, pasi sulmet ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në territorin e Iranit kanë rikthyer pasigurinë në tregjet globale të energjisë.
Nafta Brent u rrit me mbi 2%, duke arritur në 98.12 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI u tregtua në nivelin 91.79 dollarë për fuçi.
Lëvizja vjen pasi forcat amerikane kryen sulme që Uashingtoni i cilësoi “mbrojtëse” në jug të Iranit, ndërkohë që vijojnë tensionet në rajon dhe ende nuk është arritur një marrëveshje për përfundimin e luftës dhe rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se negociatat me Iranin mund të zgjasin “edhe disa ditë”, duke ulur pritshmëritë për një marrëveshje të menjëhershme.
Që nga nisja e konfliktit, Irani ka kufizuar pothuajse të gjithë lëvizjen e anijeve jo-iraniane në Ngushticën e Hormuzit, një korridor strategjik përmes të cilit kalon rreth 20% e tregtisë globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Ndërkohë, negociatorët iranianë dhe zyrtarë të lartë po zhvillojnë bisedime në Doha me ndërmjetësimin e Katarit për një marrëveshje të mundshme me SHBA-në.
Sipas raportimeve të Reuters, palët kanë bërë progres drejt një memorandumi mirëkuptimi që do të ndalte luftën dhe do t’u jepte negociatorëve 60 ditë kohë për arritjen e një marrëveshjeje finale.