Vendosni fjalën kyçe....

“Shfryhet” stimuli fiskal i qeverisë, deficiti buxhetor realizohet vetëm 26% e planit vjetor në 11 mujor


Planet e qeverisë për ekspansion fiskal nëpërmjet rritjes së borxhit publik duket se, janë shfryrë, pasi në fund të 11 -mujorit deficiti buxhetor është e realizuar vetëm 26% e programit vjetor.

Madje në muajin nëntor deficiti u ngushtua me rreth 4 miliardë lekë duke arritur ne -32,1 miliardë lekë nga -36,1 miliardë lekë që ishte në tetor. Përmirësimi erdhi si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave dhe frenimit të shpenzimeve gjatë nëntorit.

Në qershor, me një akt normativ ne mes të vitit qeveria e zgjeroi hapësirën e deficitit buxhetor në 120,5 miliardë lekë nga rreth 108 miliardë lekë që ishte në buxhetin fillestar.

Qeveria mbajti të gatshme hapësirën fiskale të krijuar me borxh me qëllim financimin e disa projekteve të mëdha në infrastrukturë të tilla si Unaza e Re dhe Tuneli i Llogarasë, rrugët Qukës -Qafë Thanë dhe Kardhiq-Delvinë. Mirëpo ecuria faktike ka qenë e dobët dhe deficiti buxhetor, jo vetëm që është shumë poshtë programit vjetor, porgjithashtu është 72 % më i ulët se fakti i vitit të kaluar.

Mbajtja në nivele të ulëta e deficitit buxhetor u ndihmua nga rritja e të ardhurave me shume se, plani dhe mosrealizimi i shpenzimeve buxhetore sipas programit.

Në fund të 11 mujorit shpenzimet buxhetore ishin 9% më të ulëta se plani i periudhës ndërsa të ardhurat ishin 4 për qind më të larta se plani dhe 19,6% më të larta se fakti i vitit 2021.

Rritja e të ardhurave u ndikua nga rritja e importeve të mallrave dhe rritja e çmimeve të tyre në tregjet ndërkombëtare.

Nga ana tjetër shpenzimet u frenuan nga mosrealziimi sipas planit në shpenzime kapitale të cilat në fund të 11 mujorit rezultuan me një mosrealizim 41 për qind të programit vjetor.

Ecuria e deficitit buxhetor deri më tani ka shkuar sipas këshillave dhe rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për rishikimin e programit të investimeve sidomos në disa projekte që nuk bënin pjesë në prioritetet kombëtare dhe nuk kishin lidhje me emergjencën që krijoi pandemia.

Fondi e këshilloi qeverinë që zbatojë një program shpenzimesh gjithëpërfshirës dhe të rrisë mbështetjen për shtresat në nevojë, gjendja ekonomike e të cilave është rënduar edhe më shumë nga pandemia.

Përvojat e kaluara tregojnë se, gjatë muajit dhjetor qeveria autorizon shpenzime të larta, në formën e financimit të punëve të pakryera nëpërmjet përdorimit të Letër Kredive./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor