
Këngëtarja kolumbiane Shakira ka publikuar një fragment të ri të këngës “Dai Dai”, e cila është shpallur si kënga zyrtare e Kupës së Botës FIFA 2026, përcjell DW.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Shakira shfaqet në stadiumin legjendar Maracanã në Rio de Zhaneiro, ku mban në dorë topin zyrtar të turneut “Trionda” dhe interpreton së bashku me artistin nigerian Burna Boy.
Kënga përfshin vargje në anglisht dhe një refren energjik me frazën “Dai, dai, we go, dale, ale, let’s go”, që ndërthur shprehje nga italishtja dhe spanjishtja.
Në klip shfaqen edhe kërcimtarë të veshur me ngjyrat e kombëtareve pjesëmarrëse në turne, ndërsa video përmbyllet me mesazhin “We’re ready!”.
Kënga “Dai Dai” pritet të publikohet zyrtarisht më 14 maj. Shakira, e cila është e njohur për hitin “Waka Waka (This Time for Africa)” nga Botërori 2010, ka qenë më herët edhe pjesë e ceremonive të finales së turneut në vitet 2006 dhe 2014.
Botërori 2026 do të nisë më 11 qershor 2026.