
Gjykata federale në SHBA ka vendosur kundër miliarderit Elon Musk në padinë e tij ndaj OpenAI, duke konkluduar se kompania nuk mban përgjegjësi për pretendimet se ishte larguar nga misioni i saj fillestar për t’i shërbyer njerëzimit, përcjell Reuters.
Juria në Oakland të Kalifornisë arriti në një vendim unanim, duke vlerësuar se Musk e kishte ngritur padinë me vonesë. Vendimi u mor pas më pak se dy orësh diskutime nga juria.
Procesi gjyqësor, i cili zgjati tre javë, u konsiderua si një nga përballjet më të rëndësishme për të ardhmen e inteligjencës artificiale dhe mënyrën se si duhet të zhvillohet dhe kontrollohet kjo teknologji.
Padia e Musk pretendonte se Sam Altman dhe drejtues të tjerë të OpenAI e kishin bindur atë të investonte 38 milionë dollarë, përpara se kompania të krijonte një strukturë fitimprurëse dhe të siguronte miliarda dollarë investime nga Microsoft dhe investitorë të tjerë.
Pas vendimit, Musk deklaroi se do ta ankimojë çështjen, duke akuzuar Altman dhe drejtuesit e OpenAI se “e kthyen një organizatë jofitimprurëse në mjet për pasurim personal”.
Nga ana tjetër, OpenAI e cilësoi padinë si një përpjekje për të dëmtuar një konkurrent në tregun e inteligjencës artificiale.
Vendimi konsiderohet gjithashtu si një zhvillim i rëndësishëm për planet e OpenAI për një ofertë publike fillestare, e cila mund ta vlerësojë kompaninë deri në 1 trilion dollarë.