Vendosni fjalën kyçe....

“Po pengoni përparimin e të drejtave të grave dhe personave LGBT” – Miliarderi amerikan largohet nga Kisha Mormone


Miliarderi largohet nga kisha për shkak të LGBTQ dhe të drejtave të grave

Një nga njerëzit më të pasur në SHBA, ekzekutivi i teknologjisë me vlerë 5.2 miliardë dollarë, Jeff T. Green, ka njoftuar ndarjen e tij nga Kisha Mormone, e cila, sipas fjalëve të tij, ‘po bën në mënyrë aktive dëm në botë’.

Në një letër drejtuar presidentit të kishës Russell M. Nelson, Green pohoi se kisha mormone ‘kishte penguar përparimin global në të drejtat e grave, të drejtat civile dhe barazinë racore, dhe të drejtat LGBTQ+’.

Sipas ‘The Salt Lake Tribune’, e cila publikoi historinë, miliarderi 44-vjeçar dhe CEO i platformës së reklamave Trade Desk, kishte dhuruar 600.000 dollarë për Equality Utah, me gjysmën e këtij granti që synonte të mbështeste studentët LGBTQ në Utah. Në nëntor Green u zotua të jepte të paktën 90% të pasurisë së tij për bamirësi.

Ai pohoi se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ose Kisha Mormone, pasi ka grumbulluar më shumë se 100 miliardë dollarë, ‘duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar botën dhe anëtarët e saj me pasurinë e saj ‘sesa të ndërtojë tempuj e qendra tregtare’.

Green i është bashkuar në lëvizjen e tij edhe 11 anëtarët e familjes. Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Presidenti i kishës.

Kisha Mormone pretendon se ka mbi 16.5 milionë anëtarë në mbarë botën, me pothuajse 31.000 kongregacione.