Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj tha se i konfirmoi firmat, demokratja i kthehet: Më telefonuat, por unë s’kam firmosur


Një ditë më parë, deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj shkoi vetë që të verifikonte firmat e mbledhura nga ish-kryeministri Sali Berisha për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 11 Dhjetor.

Ai ishte i pari nga radhët e selisë blu që e bëri këtë, por sot një delegate e PD-së e akuzon në rrjetet sociale se ka gënjyer.

Shehaj mori në telefon firmëtarët e dy degëve nr.5 dhe nr.7 në telefon, zonë nga e cila u zgjodh dhe deputet dhe tha se të gjitha ishin korrekte. 

Mirëpo një zonjë, anëtare e degës nr.5 në Tiranë i shkruan Shehajt një koment ku shprehet se është e vërtetë që Shehaj e ka telefonuar, por ai ka gënjyer për përgjigjen e saj.

 “Pse nuk shkruani që janë falsifikuar firmat. Unë nuk kam firmosur dhe rezultoj që kam firmosur. Ishit ju që më morët dhe çfarë iu thashë? Pse nuk denonconi z.Agron. Ç’është ky qëndrim dualist? Vallë e do PD më shumë se unë? Zhgënjim total për ju dje për atë që përfaqësoni ju.”-shkruan zonja në një postim të deputetit Shehaj. Një akuzë e fortë kjo, por që Shehaj ende nuk i është përgjigjur.

Mirëpo zonja nuk është e vetmja e cila po ankohet për procesin e verifikimit të firmave, pasi të shumtë janë ata që janë ankuar, mirëpo jo të gjitha komentet e tyre shfaqen në postimin e deputetit demokrat. Për pak orë, as postimi i zonjës nuk shfaqej, por pas shumë ankesash nga komentuesit u bë përsëri i aksesueshëm.