Vendosni fjalën kyçe....

“Pse qeveria nuk flet për rastet e abuzimit të fëmijëve?”- Boçi përplaset me Kushin në Kuvend, ministrja: Turp që i përdorni politikisht


Në seancën e sotme plenare në Kuvend, ka patur një përplasje mes deputetit të PD-së Luçiano Boçi dhe ministres së Arsimit Evis Kushi.

Kjo lidhur me rastet e abuzimit ndaj të miturve, ku specifikisht u përmend rasti i një vogëlusheje 6-vjeçare në Kamëz.

Boçi deklaroi se 3 ngjarje janë kaluar në heshtje dhe se asnjë institucion qeveritar nuk ka folur për të mbrojtur ato fëmijë të abuzuar, mes të cilave përmendi edhe ministrinë e Arsimit.

“Tre ngjarje shumë të rënda kanë kaluar në heshtje. E para është dhunimi i 6-vjeçare në Kamëz, 11 vjeçare në Lushnje dhe sot e përdhunimit të 16-vjeçare. Këtu nuk tregohet dhe fshihet, atë pjesën e dramës së familjes shqiptare. Në rastin e vogëlushes mori përmasa ulëritëse, jeta përtej ekraneve në Shqipëri kështu është, copëza dramash. Ndodhi drama e 6-vjeçares. Ku është kryeministër? Pse nuk flet, na tregon me gishtin e tij satelitët. Ku është ministrja përgjegjëse, Ministria e Arsimit? Ku është shërbimi psikologjik dhe Social? Pse nuk reagoi, asnjë deklaratë nuk është bërë. Por ajo ministria e Fëmijëve ku është ajo? A ka objektiv ajo ministri? Po kjo ministria tjetër e Shëndetësisë ku është, pse nuk reagon.? Pse i lënë këta njerëz në fatin e tyre të mbrapshtë.

Solidariteti këtu po vdes çdo ditë e më shumë, sepse ju keni axhenda të tjera. Sepse në qendër të vëmendjes tuaj nuk është familja. As nuk folët për masat që duheshin marrë dhe nuk artikuluat asnjë shqetësim për atë çfarë ndodhi. Sot megjithëse ka tre ngjarje të rënda unë nuk dëgjoj asnjë prononcim të instancave kryesore. Keni humbur çdo lloj komunikimi me shoqërinë. E keni goditur familjen në thelbin e saj.”– tha Boçi.

Mirëpo këtu ndërhyri ministrja Evis Kushi, e cila akuzoi Boçin se po përdor politikisht rastin e abuzimit të një fëmije duke e konsideruar këtë të turpshme nga ana e tij.

 “Turpi më i madh është kur rastet e dhunës përdoren politikisht. Vajza është e mitur, fatkeqësinë e saj ju e përdorni për të dhunuar politikisht. Nuk duhet reaguar me fjalë por me vepra dhe përmes institucioneve, turp.” – u kundërpërgjigj Kushi.