Vendosni fjalën kyçe....

SpaceX teston me sukses Starship në fluturimin e 12-të, përgatitet për një ofertë publike të mundshme



SpaceX ka realizuar të premten lëshimin e fundit të raketës së saj Starship, në një test që vjen në një moment vendimtar për kompaninë, e cila po përgatitet për një ofertë publike të mundshme që mund të shënojë një rekord historik në tregjet financiare, përcjell DW.

Raketa u ngrit nga baza në jug të Teksasit pak pas orës 17:30 sipas kohës lokale dhe përfundoi misionin rreth një orë më vonë, duke u përplasur në Oqeanin Indian, ku shpërtheu gjatë uljes së kontrolluar.

Gjatë fluturimit u raportuan disa probleme të vogla teknike, por ekipi i SpaceX reagoi me duartrokitje gjatë transmetimit live të misionit, duke e konsideruar testin një hap përpara në zhvillimin e sistemit.

Elon Musk shkroi në platformën X se misioni ishte “një gol për njerëzimin”, duke e cilësuar suksesin e fluturimit si pjesë të progresit drejt misioneve të ardhshme hapësinore.

Raketa e gjeneratës së tretë, e njohur si V3, u projektua si një sistem gjigant prej mbi 124 metrash lartësi, duke e bërë atë një nga mjetet më të mëdha të ndërtuara ndonjëherë për fluturime hapësinore.

NASA ka deklaruar se pret me interes zhvillimet e programit Starship, pasi ai është pjesë kyçe e misioneve të ardhshme “Artemis”, që synojnë rikthimin e astronautëve në Hënë pas më shumë se 50 vitesh.

Programi Artemis është gjithashtu në garë të drejtpërdrejtë me planet e Kinës për misione me ekuipazh drejt Hënës në dekadën e ardhshme, duke shtuar konkurrencën në garën e re hapësinore globale.