
Një incident i armatosur është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në zonën e Mikrolimanos në Athinë, ku një person është plagosur gjatë një përplasjeje me forcat e policisë greke.
Sipas raportimeve, rreth orës 05:30 efektivë të stacionit të Pireut kanë identifikuar një burrë të dyshimtë pranë një dyqani në zonë dhe kanë tentuar ta ndalojnë për kontroll. Në momentin e ndërhyrjes, ai ka tentuar të largohet dhe, gjatë arratisjes, dyshohet se ka drejtuar armë zjarri ndaj një oficeri policie.
Policia është kundërpërgjigjur menjëherë me armë shërbimi, duke e plagosur të dyshuarin, i cili më pas është transportuar në spitalin “Attikon” për ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje, autoritetet greke kanë sekuestruar 3 armë zjarri dhe 6 granata, të cilat dyshohet se i përkisnin personit të ndaluar.
Më pas, i plagosuri është identifikuar si Alesio Xhelo, 41 vjeç, nga Fieri, i njohur edhe me nofkën “Titi”. Ai dyshohet se ka përdorur më herët edhe një identitet tjetër.
Sipas të dhënave të publikuara, Xhelo rezulton me precedentë penalë dhe ka qenë më parë i përfshirë në hetime të rënda si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi, përfshirë akuza për trafik armësh, rrëmbim personi dhe vepra të tjera të rënda penale. Ai gjithashtu rezulton se ka qenë më parë në kërkim nga autoritetet greke dhe kishte status masash sigurie në Shqipëri.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit, si dhe origjinën e armatimit të sekuestruar në vendngjarje.