Një tentativë tejet e pazakontë dhe e mirëmenduar e kontrabandës së lëndëve narkotike është parandaluar nga autoritetet e burgut të Idrizovës në Shkup. Një 25-vjeçare ka rënë në prangat e policisë pasi ka tentuar t’i fusë drogë bashkëshortit të saj të burgosur, duke e fshehur atë brenda vezëve të shpendëve që kishte marrë me vete për vizitë.
E reja ishte paraqitur në institucionin e vuajtjes së dënimit me një sasi prej 60 vezësh, por gjatë kontrollit rutinë në hyrje, efektivët e sigurisë pikasën diçka të dyshimtë në strukturën dhe sipërfaqen e tyre. Për të shmangur çdo dyshim, kartoni me vezë u kalua menjëherë në skaner.
Pas kontrollit me aparaturë dhe verifikimit manual, zyrtarët e burgut zbuluan se 28 prej vezëve ishin modifikuar dhe zbrazur me kujdes, për t’u mbushur më pas me qese të vogla që përmbanin lëndë narkotike. Sipas policisë, nga ky kontroll u sekuestruan në total më shumë se 318 gramë marihuanë dhe mbi 142 gramë kokainë të pastër.
“Prokuroria ka hapur procedurë hetimore ndaj 25-vjeçares për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve… Nga hetimet paraprake dyshohet se droga ishte menduar të përfundonte brenda burgut, ndërsa rasti ka ngritur sërish pikëpyetje për tentativat e vazhdueshme të futjes së lëndëve narkotike në institucionet penitenciare,” – bëhet e ditur nga organet e akuzës.
Menjëherë pas zbulimit, Prokuroria i është drejtuar gjykatës duke kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për të renë, me argumentin se ekziston rreziku i arratisjes apo i përsëritjes së të njëjtave veprime kriminale.
Në vendimin për të mos kërkuar arrest me burg ka peshuar fakti se 25-vjeçarja është nënë e disa fëmijëve të mitur, mes të cilëve ka edhe një foshnjë të sapolindur, vetëm pesë muajshe, që ka nevojë për përkujdesje prindërore.
