Vendosni fjalën kyçe....

Vulin: S’na duhen rusët për t’u kthyer në Kosovë, mjaftojnë vetëm serbët


Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin ka mohuar sot zërat se Beogradi zyrtar po përgatit vullnetarë rusë për t’u kthyer në Kosovë.

Siç shkruan N1, ai ka shtuar se nëse Beogradi do të donte ta pushtonte Kosovën me dhunë, nuk do t’i duheshin rusët apo të huajt e tjerë, por vetëm serbët e lindur atje.

Vulin e ka thënë deklaratën provokuese duke iu përgjigjur pretendimit të ish-komandantit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, i cili ka deklaruar për mediet se ka informacione që presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe ministri i Brendshëm Vulin po rekrutojnë mercenarë rusë për t’i sjellë në veri të Kosovës.

“Sipas disa informacioneve që unë i kam me dijeninë e Vuçiçit dhe Vulinit janë duke rekrutuar mercenarë rusë për t’i sjellë në veri të Kosovës dhe në krye të këtij grupi është gjenerali Dikoviç – ku sipas detyrave që ai i ka, nëse ndodh një destabilizim në Bosnje automatikisht njësoj do të fillonte edhe në veri të Kosovës dhe qëllimi final i Serbisë është që ta bëjë Serbinë e Madhe.”- ishte deklarata e Kastratit për Klan Kosova.

Por Vulin deklaroi se shqiptarët e Kosovës, kur “tek ta flet frika dhe ndërgjegjja e papastër”, fillojnë “të flasin për agresionin serb dhe rrezikun rus”.

“As presidenti Vuçiç, as unë nuk jemi duke përgatitur apo kërkuar vullnetarë rusë. Nëse Serbia dëshiron të kthehet me forcë në veri dhe jug të Kosovës dhe Metohisë, nuk do të ketë nevojë për rusët apo ndonjë të huaj tjetër, mjaftojnë serbët e lindur në Kosovë.”- shtoi Aleksandar Vulin.