
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërprerë çdo përgatitje për zhvillimin e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës, pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit Bajram Begaj, pas ankimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, deklaroi se institucioni që ai drejton nuk mund të kryejë asnjë veprim për procesin në Tiranë, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka efekt pezullues.
Ai sqaroi se për sa kohë ekziston një vendim i tillë, çdo veprim do të konsiderohej shkelje e Kodit Zgjedhor dhe e Kushtetutës.
“Është pezulluar që ditën e djeshme. Në datën 9 nëntor është e sigurt që do të zhvillohen zgjedhjet për 5 bashkitë te tjera përjashto bashkinë e Tiranë.
Në momentin që GJK ka pezulluar efektet për atë pjesë të dekretit të presidentit është sikur ai dekret të mos ekzisTtojë në një lloj mënyre për atë pjesë për të cilën ka urdhëruar gjykata.
Dhe do të ishim në shkelje të kushtetutës dhe kodit zgjedhor nëse KQZ do të vazhdonte me procesin përgatitur të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës.
Ndaj e thashë se bazuar në urdhërimin e vendimit të GJK do të duhet ta respektoj vendimin. Kjo është e qartë në gjykimin tim.
KQZ nuk mund të kryejë asnjë veprim që lidhet me përgatitjen e procesit zgjedhor në bashkinë e Tiranës, është çështje e GJK për të vendosur mbi ankimin që është bërë në gjykatë nga zoti Veliaj në lidhje me vendin për shkarkimin e tij.
KQZ nuk po zhvillon asnjë veprimtari që lidhet me përgatitjen e procesit zgjedhor për Tiranën për datën 9 nëntor për shkak të urdhërimit të GJK”, tha Celibashi.