Vendosni fjalën kyçe....

Basha në mbledhjen e PD-së: Prioritare ngritja e tre komisioneve hetimore për zgjedhjet, Becchetti-n dhe inceneratorët


Kreu i PD-së Lulzim Basha ka mbledhur sot në orën 16:00 grupin parlamentar të kësaj force politike.

Sipas “Balkanweb”, në këtë mbledhje është diskutuar për ngritjën e tre komisioneve hetimore për zgjedhjet e 25 prillit, çështjen Becchetti dhe inceneratorët.

“Prioritare ngritja e tre komisioneve hetimore.
1- Komision hetimor për masakrën zgjedhore që u konfirmua edhe nga raporti i OSBE/ODIHR. Parësore për këtë komision hetimor do të jetë vjedhja e të dhënave private dhe personale të shqiptarëve, keqpërdorimi i aseteve dhe funksioneve publike, abuzimi me fondet e rindërtimit për qëllime elektorale, abuzimi me legalizimet në këmbim të votës. Punësimet e paligjshme në administratën publike dhe blerjen e votës.

2- Komision hetimor për çështjen Becchetti. Lufta personale e Edi Ramës me sipërmarrësin italian do t’u kushtojë qytetarëve më shumë se 120 milionë euro.

3- Komision hetimor për Inceneratorët, një aferë mafioze, kriminale që përfshin zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar. Kallëzimet tona penale vazhdojnë të zënë pluhur nëpër prokurori.”- citohet të ketë thënë kryedemokrati.

Gjatë fjalës së tij, Basha ka folur edhe për rritjen e çmimit të bukës. Ai ka bërë të ditur se do të kërkojnë uljen e TVSH-së për produktet e shportës, nga 20 në 6%.

 “Duhet te merremi urgjent me çështjet ekonomike të shqiptarëve. Do lëvizim agresivisht, lidhur me këtë situatë, se çmimi i bukës, i miellit është rritur ndjeshëm. Do depozitojme kërkesën për uljen e TVSH-se 6% për shportën. Situata ekonomike është shumë e rendë. Rritja e çmimeve ka bërë që shumica e familjeve të mos përballojnë dot as shpenzimet për ushqimet bazike. Prandaj si masë emergjence do të kërkojmë uljen e TVSH-së për produktet e shportës, nga 20 në 6%. Buxheti, që sot përdoret për të nginjur klientët dhe oligarkët e pushtetit, duhet të orientohet një orë e më parë nga nevojat e familjeve shqiptare.”- thuhet se ka thënë Basha para deputetëve.