Vendosni fjalën kyçe....

Kush është Xhihadi Islamik që Izraeli e akuzon për shpërthimin në Gazë?


Izraeli ka thënë se dëshmitë tregojnë se grupi i armatosur palestinez, Xhihadi Islamik, është përgjegjës për shpërthimin e 17 tetorit në një spital në Qytetin e Gazës. Por, ky grup, që është më i vogël sesa grupi militant Hamas – që udhëheq me Gazën – ka mohuar përgjegjësinë, përcjell REL.

Shpërthimi në spitalin Al-Ahli besohet se ka lënë të vdekur qindra persona. Shpërthimi rriti zemërimin në mesin e shteteve arabe, dhe 22 prej tyre që përfaqësohen në Kombet e Bashkuara kërkuan një armëpushim të menjëhershëm në Gazë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, gjatë vizitës në Izrael më 18 tetor, tha se “bazuar në atë që kemi parë, duket se [shpërthimi] u krye nga një ekip tjetër, e jo ju”, duke iu drejtuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Por, kush është grupi Xhihadi Islamik?

Xhihadi Islamik palestinez është themeluar më 1981 me qëllim që të krijojë një shtet islamik palestinez në Bregun e pushtuar Perëndimor, Gazë, dhe territore të tjera palestineze që tani i përkasin Izraelit.

Ky grup cilësohet si organizatë terroriste nga Departamenti amerikan i Shtetit, Bashkimi Evropian dhe qeveri të tjera.
Sikurse edhe Hamasi – me të cilin ndan pikëpamje ideologjike – edhe Xhihadi Islamik zotohet për shkatërrimin e Izraelit.

Në gusht të vitit 2022, emri i Xhihadit Islamik u bë më i njohur për publikun, pas shpërthimit të dhunës në Rripin e Gazës. Atëbotë, Izraeli raportoi se vrau disa liderë të grupit. Por, edhe në vitet paraprake, Izraeli ka kryer sulme ndaj këtij .

Po ashtu, Xhihadi Islamik mori pjesë edhe në sulmet e koordinuara ndaj Izraelit më 7 tetor të këtij viti, që nxitën një përgjigje të ashpër të autoriteteve izraelite.

Në Rripin e Gazës, Xhihadi Islamik është një nga dy grupet kryesore të militantëve palestinezë, krahas me Hamasin që qeveris me këtë territor të gjatë 40 kilometra e me 2.3 milionë banorë.

Pavarësisht se ndajnë pikëpamje të ngjashme ideologjike dhe kanë bërë bashkë forcat në sulmet e fundit ndaj Izraelit, Xhihadi Islamik me veprimet e tij në të kaluarën, sikurse gjuajtja e raketave dhe mosmarrja e përgjegjësisë për sulmet, si dhe mosrespektimi i armëpushimeve, ka minuar autoritetin e Hamasit në Gazë.

Mbështetja nga Irani

Xhihadi Islamik gëzon mbështetje financiare dhe ushtarake nga Irani, armiku kryesor rajonal i Izraelit. Forca e grupit të armatosur është në rritje pasi në të kaluarën është përfshirë në sulme me raketa dhe konfrontime të tjera me Izraelin.

Teherani e mbështet Xhihadin Islamik me trajnime, para, ekspertiza.

Megjithatë, shumica e armëve që grupi përdor janë prodhime vendëse. Besohet se viteve të fundit, Xhihadi Islamik ka zhvilluar një arsenal të barasvlershëm me atë të Hamasit – që po ashtu mbështetet nga Irani – duke u pajisur me raketa me rreze të gjatë veprimi, të afta të godasin caqe në qendrën urbane të Tel Avivi.

Një ditë pas sulmeve të koordinuara nga Izraeli më 7 tetor, media shtetërore raportoi se presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, bisedoi me liderët e Hamasit dhe Xhihadit Islamik.

Raisi lavdëroi sulmet e militantëve palestinezë dhe i cilësoi si një “fitore e madhe”, që sipas tij, ndihmon në shkatërrimin e “regjimit” të Izraelit.

Përfaqësuesit e këtyre dy grupeve militante ishin takuar me përfaqësuesit iranianë në qershor në Iran.

Xhihadi Islamik ka selinë në Rripin e Gazës, por ka edhe degë në Bejrut e Damask, dy kryeqendrat që kanë lidhje të ngushta me Iranin.