Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Strasburgut: Rusia qëndron prapa vrasjes së ish-agjentit Alexander Litvinenko


Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) ka konsideruar Rusinë si përgjegjëse për vrasjen e Alexander Litvinenkos.

Litvinenko është një ish-spiun rus që u bë shtetas britanik dhe u helmua për vdekje me polonium radioaktiv-210 në Londër në vitin 2006.

Një hetim publik në Mbretërinë e Bashkuar i kryer 10 vjet më vonë arriti në përfundimin se vrasja “ndoshta u miratua” nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Por Rusia gjithmonë ka mohuar çdo përfshirje në vrasjen e tij.

Sipas hetimit në Mbretërinë e Bashkuar, ish -truproja i KGB -së Andrei Lugovoi dhe një tjetër rus, Dmitry Kovtun e helmuan qëllimisht Litvinenko-n, ndoshta duke ia futur substancën radioaktive në çaj.

E veja e Litvinenkos, Marina, e çoi çështjen kundër Rusisë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut me bazë në Strasburg, e cila është pajtuar me përfundimin e hetimit në Mbretërinë e Bashkuar.

“Gjykata konstatoi në veçanti se kishte një rast të fortë prima facie që, në helmimin e Litvinenko, Z. Lugovoi dhe Z. Kovtun kishin vepruar si agjentë të shtetit rus.”- vendosi Gjykata e Strasburgut, citon BBC.

Ajo arriti në përfundimin se dështimi i Rusisë për të hedhur poshtë pretendimet se ajo kishte organizuar vrasjen tregonte më tej përgjegjësinë e shtetit.

Lugovoi dhe Kovtun kanë mohuar çdo përfshirje në vrasje.

Një vit më pas, Lugovoi u bë anëtar i dhomës së ulët të parlamentit të Rusisë për një parti nacionaliste të krahut të djathtë. Ai më vonë dënoi hetimin publik në Mbretërinë e Bashkuar duke e konsideruar si një spektakël dhe një gënjeshtër të hapur.

Sidoqoftë, gjykata e të drejtave të Strasburgut konstatoi se kishte vërtetuar “përtej dyshimit të arsyeshëm” se dyshja kishte kryer helmimin, nga blerja komplekse e “helmit të rrallë, vdekjeprurës”, deri tek aranzhimet e udhëtimit dhe përpjekjet e përsëritura dhe të qëndrueshme për të helmuar Litvinenko-n.

Litvinenko kishte ikur nga Rusia, ku kishte qenë oficer në shërbimin e sigurisë FSB. Ai u bë një kritik i ashpër i Presidentit Vladimir Putin dhe ishte në pagë të shërbimit sekret të Mbretërisë së Bashkuar MI6, duke hetuar lidhjet e mafies ruse me Spanjën.

Ai u takua me Andrei Lugovoi dhe Dmitry Kovtun për një filxhan çaj në një hotel në Londër më 1 nëntor 2006. Ai shpejt u sëmur dhe u shtrua në spital pak më vonë. Gjendja e tij u përkeqësua dhe ai vdiq më 23 nëntor.

GJEDNJ zbuloi se nëse vrasja e tij do të ishte një “operacion mashtrues”, atëherë Rusia do të kishte qenë në gjendje ta provonte këtë. Por gjykata tha se asnjë përpjekje serioze nuk ishte bërë për të hedhur poshtë gjetjet e autoriteteve në Mbretërinë e Bashkuar.

Edhe pse tha se Rusia duhet t’i paguajë vejushës së Litvinenkos 122,500 euro në kosto dhe dëme të tjera, e ka hedhur poshtë kërkesën e saj për dëmshpërblim ndëshkues.