Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Jashtëm rus flet me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit për situatën në Ukrainë: Gati për një raund tjetër bisedimesh me Kievin


Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov ka biseduar në telefon me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin.

Siç shkruan agjencia e lajmeve TASS, biseda mes tyre është fokusuar në çështjet humanitare që lidhen me konfliktin në Ukrainë.

“Në lidhje me shqetësimin e Pietro Parolin për situatën në Ukrainë, Sergej Lavrov i përshkroi atij qëndrimin parimor të Rusisë në lidhje me arsyet dhe qëllimet e operacionit special ushtarak që po kryhet në Ukrainë.”– tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë.

“Vëmendje e veçantë u përqendrua në çështjet humanitare që lidhen me konfliktin, duke përfshirë masat për mbrojtjen e popullatës civile, organizimin dhe funksionimin e korridoreve humanitare dhe ndihmën për refugjatët.”– thuhet më tej në deklaratë.

Sipas ministrisë “palët shprehën shpresën se një raund tjetër i bisedimeve midis Moskës dhe Kievit do të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur dhe se do të arrihet një marrëveshje për të adresuar problemet kryesore që qëndrojnë në rrënjë të krizës në Ukrainë, me qëllim zgjidhjen e saj dhe ndalimin e armiqësive.”