Vendosni fjalën kyçe....

“Shërbeni për ne dhe do jeni të lirë”- Kreu i grupit mercenar rus filmohet duke rekrutuar ushtarë në burgje (VIDEO)


Themeluesi i grupit mercenar rus “Wagner” është shfaqur në një video duke u përpjekur të rekrutojë të burgosur për të luftuar në Ukrainë.

Në pamjet e filmuara, shihet Yevgeniy Prigozhin duke iu drejtuar një grupi të madh të të arrestuarve.

Sipas transmetuesit britanik BBC, Prigozhin u tha të burgosurve se dënimet e tyre do të zvogëloheshin në këmbim të shërbimit me grupin e tij.

Videoja e bërë virale në rrjet, konfirmon spekulimet e gjata se Rusia shpreson të rrisë forcat e saj duke rekrutuar të dënuar.

Edhe pse ligji rus nuk lejon ndryshimin e dënimeve me burg në këmbim të shërbimit mercenar, Prigozhin thuhet se këmbënguli që “askush s’do të kthehet prapa hekurave” nëse shërben me grupin e tij.

“Nëse shërben gjashtë muaj (në Wagner), je i lirë.”– tha ai. Por ai paralajmëroi rekrutët e mundshëm kundër dezertimit dhe tha “nëse arrini në Ukrainë dhe vendosni se nuk është për ju, ne do t’ju ekzekutojmë”.

 

Ai gjithashtu informoi për rregullat e të burgosurve të Wagner që ndalojnë alkoolin, drogën dhe “kontaktet seksuale me gratë vendase, florën, faunën, burrat – çdo gjë”.

Shefi mercenar aludoi gjithashtu për vështirësitë me të cilat Rusia është përballur në konfliktin e stërzgjatur, duke thënë se “kjo është një luftë e vështirë, as afër Çeçenisë dhe të tjerëve”.

Është e paqartë se kush e ka filmuar videon, kur ka ndodhur apo si është publikuar. Megjithatë sipas BBC-së, pamjet janë xhiruar në Republikën Mariy El qendrore të Rusisë.

Një skanim i ekranit në fytyrën e rekrutuesit u krye gjithashtu përmes mjeteve të softuerit të njohjes së fytyrës, që zbuloi një përputhje pozitive rreth 71-75% me Prigozhin.

Po ashtu edhe disa burime konfirmuan për shërbimin rus të BBC-së se personi në video ka të ngjarë të ishte vërtet zoti Prigozhin.

“Ky është zëri i tij. Intonacioni i tij. Fjalët dhe mënyra e të folurit… Jam 95 për qind i sigurt se ky është ai dhe ky nuk është një montazh.”- tha burimi për BBC.