Vendosni fjalën kyçe....

Rusia dhe Hungaria arrijnë marrëveshjen për furnizimin me gaz rus për 15 vjet


Hungaria dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje të re afatgjatë për furnizimin me gaz rus, e cila do të hyjë në fuqi më 1 tetor të këtij viti, njoftoi të hënën ministri i Jashtëm i Hungarisë.

“Marrëveshja e re me prodhuesin shtetëror të gazit të Rusisë Gazprom është për 15 vjet, me mundësinë e ndryshimit të vëllimit të blerjeve të gazit në 10 vjet. Gazprom do të furnizojë çdo vit 4.5 miliardë metra kub gaz natyror për Hungarinë,” tha Peter Szijjarto në faqen e tij në Facebook, duke vënë në dukje se 3.5 miliardë nga këto do të furnizohen përmes Serbisë dhe një miliard përmes Austrisë.

Szijjarto e bëri njoftimin pas një takimi pune me kreun e Gazprom, Alexey Miller, në Shën Petersburg të Rusisë.

Ministri theksoi se, për shkak të hollësive të marrëveshjes së re, Hungaria do të blejë gaz ‘me një çmim shumë më të mirë sesa sipas kontratës që skadon’, e cila u nënshkrua në vitin 2020 dhe përfundon në shtator.

Gjithashtu, marrëveshja e re rrit furnizimin e Hungarisë me gati 7% nga 4.2 miliardë metra kub të vitit të kaluar.

Ndërkohë, në fillim të këtij muaji, ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se përveç marrëveshjes së gazit, të dy vendet po punonin drejt një kontrate për ndërtimin e termocentralit bërthamor Paks 2 (NPP) në Hungari.