Vendosni fjalën kyçe....

Aeroplani gjerman evakuon vetëm 7 persona nga Afganistani, veprimi kritikohet ashpër


Një aeroplan i madh ushtarak i dërguar nga Gjermania për të evakuuar njerëzit në Afganistan u nis nga aeroporti i Kabulit me vetëm shtatë persona në bord, njoftuan mediat gjermane të martën.

Avioni transportues A-400M, i cili mund të mbajë deri në 200 persona, u ul në pjesën ushtarake të aeroportit të hënën mbrëma, por vetëm ata që ishin në listën e Ambasadës Gjermane u lejuan të hipnin në fluturim, sipas të përditshmes ‘Bild’.

Ministria e Jashtme pohoi se vetëm shtatë persona ishin në bord në fluturimin e tyre të parë të evakuimit, por pretendoi se për shkak të kaosit në anën civile të aeroportit, nuk ishte e mundur të merreshin më shumë njerëz.

Incidenti shkaktoi një stuhi kritikash në mediat sociale, me shumë ekspertë, gazetarë dhe politikanë që kritikuan autoritetet gjermane që u treguan shumë të ngadalta dhe joefikase për të organizuar evakuimet, ndërsa mijëra afganë dëshpërimisht kërkojnë të largohen nga vendi pasi talibanët pushtuan kryeqytetin të dielën.

Një ditë më parë, një avion ushtarak amerikan mori me vete 640 afganë në bord ndërsa aeroplani gjerman vetëm shtatë të tillë.