Vendosni fjalën kyçe....

Rusia tërheq trupat nga qyteti lindor ukrainas i Limanit


Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se ka tërhequr trupat nga qyteti strategjik i Limanit, që gjendet në lindje të Ukrainës.

“Për shkak të kërcënimit nga rrethimi, trupat janë tërhequr nga Krasni Liman, në një pozicion më të mirë”, tha Ministria e Mbrojtjes, sipas mediave shtetërore ruse.

Krasni Liman është një emërtim i vjetër sovjetik për Limanin, në të cilin forcat ukrainase thanë se kanë hyrë.

Ushtria ukrainase tha se ka marrë territor në qytetin e Limanit, duke e cilësuar si “sukses të konsiderueshëm”.

Më herët gjatë 1 tetorit, një zëdhënës i forcave ukrainase tha se mijëra trupa ruse janë rrethuar në Liman.

“Grupi rus në Liman është rrethuar”, tha zëdhënësi Serhiy Cherevatiy. “Vendbanimet në Jampil, Novoselivka, Shandriholov, Drobishev dhe Stavki janë çliruar dhe po ndërmerren masa për stabilizimin e situatës”, shtoi ai.

Cherevatiy vlerësoi se numri i trupave ruse që janë rrethuar është afër 5.000, dhe shtoi se forcat ruse po tentojnë që ta thyejnë rrethimin.

Rimarrja e Limanit nga Kievi, paraqet humbje të madhe për ushtrinë ruse që nga nisja e kundërofensivës ukrainase muajin e kaluar, që ka dëbuar forcat e Moskës nga rajoni i Harkivit.