Vendosni fjalën kyçe....

Rrëfimi si njeri, baba e familjar për Lasgush Poradecin – Raportet me Asdrenin, Kadarenë, Agollin (Foto të panjohura)


Në një rrëfim të rrallë për Adi Krastën në “SyriTV’ vajza e poetit të madh Lasgush Poradecit tregon detaje nga jeta e dimensioni i tij, të panjohura më parë.

Marie Gusho, nëpërmjet fotove të rralla dha elementë të jetës e dimensionit të poetit si njeri, familjar e mik, përtej këndvështrimit të tij mbi njerëzit e Pogradecit, Tiranës e komunizmit.

“Babai na donte me një dashuri posesive sa neve na lodhte. Thoshte unë komunizmit nuk ia jap fëmijët e mi”, ka thënë vajza e poetit.

Mes të tjerash Marie Gusho ka rrëfyer për familjen e saj, duke thënë se nëna e saj ishte gruaja më e rëndësishme e jetës së babait, edhe pse ai kishte shumë të dashura për të cilat shkruante në gjermanisht që mos zbulohej.

“Mamaja ime ka qenë gruaja më e rëndësishme e jetës së Lasgushit. Ishte mësuese në një nga shkollat e Tiranës.

I ati, gjyshi dhe xhaxhai i babait tim ishin arsimdashës, hapën shkollën shqipe të Pogradecit për herë të parë. Gjyshi e kuptonte që i biri i tij ishte ndryshe, shkonte buzë gjolit, rrinte vetëm, shkonte në pyllin e Pogradecit, kodra. Babai ka qenë i ndjeshëm dhe gjyshi me gojën e vdekjes tha që Llazari të vazhdojë shkollat.

Në shtëpinë tonë kishim një bibliotekë sa faqja e një muri dhe babai thoshte që të gjithë atë e ka në mendje. Një njeri i jashtëzakonshëm si babai im nuk mund të ndërtonte një familje të zakonshme”

Vajza e tij tregon për dashurinë që poeti kishte për liqenin por edhe për qentë që ka rritur e mbajtur gjithë jetën “Lolka”, “Cuci” e të tjerë.

Para se të tregonte momentet e fundit të ndarjes nga jeta dhe amanetin për t’u varrosur në Pogradec si dhe merakun që kishte poeti ndaj vajzave nëse kishin para për nderimet e fundit, Marie Gusho komentoi nga këndi i vet marrëdhëniet që poeti kishte me Kutelin, Kadarenë, Budën dhe Agollin.