Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Haitit u ekzekutua nga mercenarë të huaj, pjesë e ‘skuadrës’ ish-ushtarakë kolumbianë e haitiano-amerikanë – Raporti


Policia e Haitit ka pohuar se dy amerikanë dhe 26 kolumbianë ishin përgjegjës për vrasjen e Presidentit Jovenel Moise, ndërsa Tajvani ka konfirmuar se 11 arrestime u bënë në kompleksin e tij diplomatik.

Të paktën 28 ​persona kryen komplotin e ekzekutimit në fillim të kësaj jave, u tha gazetarëve shefi i policisë Leon Charles të enjten, duke vënë në dukje se disa të dyshuar u morën në paraburgim, ndërsa të tjerët u vranë në përleshjet me autoritetet.

“Ne kemi arrestuar 15 kolumbianë dhe dy amerikanët me origjinë nga Haiti. Tre kolumbianë janë vrarë ndërsa tetë të tjerët janë të lirë.” – tha Charles, duke shtuar se policia kishte gjetur armë dhe materiale të përdorura nga sulmuesit.

“Ne do të forcojmë teknikat tona të hetimit dhe kërkimit për të kapur tetë mercenarët e tjerë.” – theksoi ai.

Ministri kolumbian i Mbrojtjes, Diego Molano, gjithashtu tha të enjten se zbulimet e hershme sugjerojnë që disa ish-anëtarë të forcave të armatosura të vendit të tij morën pjesë në operacion. Ai u zotua të mbështesë autoritetet e Haitit në hetimin e tyre.

Më vonë në mbrëmje, kompleksi diplomatik i Tajvanit në Haiti tha se 11 ‘mercenarë’ ishin arrestuar në mjediset e objektit, por nuk dha hollësi përtej deklarimit se operacioni i policisë ‘shkoi mirë’. Kombësitë e atyre që u ndaluan mbeten të panjohura.

Haiti është ndër pak shtetet e vegjël që njeh e mban lidhje zyrtare diplomatike me Tajvanin, të cilin Pekini e konsideron si një provincë të Kinës.

Departamenti amerikan i Shtetit i tha Reuters se nuk mund të pohonte nëse shtetasit amerikanë ishin arrestuar, por tha se është në kontakt me zyrtarët haitianë për të përcaktuar hapat e ardhshëm. Ministri Mathias Pierre, identifikoi dy haitiano-amerikanët si James Solages, 35 vjeç dhe Joseph Vincent, 55 vjeç.

Moise u qëllua për vdekje nga një grup i armatosur në shtëpinë e tij pranë kryeqytetit Port-au-Prince herët në mëngjesin e së mërkurës, ndërsa gruaja e tij që u plagos rëndë u dërgua për mjekim në SHBA.

Pak hollësi kanë dalë deri tani në lidhje me sulmuesit, megjithëse kryeministri i përkohshëm dhe presidenti i përkohshëm Claude Joseph pretendoi se ata flisnin spanjisht dhe anglisht dhe mund të ishin prezantuar si agjentë të DEA-s amerikan.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani