Vendosni fjalën kyçe....

Kush e vrau presidentin e Haitit? Çfarë thotë policia


Një grup prej 28 mercenarësh të huaj, mes të cilëve ushtarë kolumbianë në pension, vranë Presidentin e Haitit Jovenel Moïse në fillim të kësaj jave. Të paktën kjo është pista që po ndjek policia në Haiti.

Shumica e të dyshuarve u arrestuan pas një shkëmbimi armësh në një shtëpi në kryeqytetin Port-au-Prince.

Të përgjakur dhe të mavijosur, të dyshuarit parakaluan para mediave të Enjten, së bashku me një mori armësh të sekuestruara.

Siç shkruan BBC, tetë të dyshuar janë ende në arrati dhe tre të tjerë u qëlluan për vdekje nga oficerët e policisë.

Policia thotë se ata janë ende në kërkim të organizatorëve që qëndrojnë pas sulmit.

Kujtojmë se në orët e para të së mërkurës, një grup personash të armatosur hynë në shtëpinë e presidentit në kryeqytetin, Port-au-Prince, dhe qëlluan atë dhe gruan e tij.

Presidenti Moïse u gjet  i pajetë me 12 plagë plumbi dhe një sy të prerë. Gruaja e tij Martine u plagos rëndë dhe është dërguar në Florida për mjekim, ku thuhet se është në një gjendje të qëndrueshme.

Policia tha se skuadra e vrasësve përbëhej nga 15 kolumbianë dhe dy haitiano-amerikanë.

Civilë të zemëruar nga ngjarja ishin bashkuar në kërkimin e personave të armatosur dhe ndihmuan policinë të gjurmonte disa prej tyre që ishin fshehur në shkurre.