Vendosni fjalën kyçe....

“Tani këpucët s’do u dalin më nga këmba” – Ukraina porosit këpucë të tjera për ushtaret femra pas skandalit në paradë


Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka zhvilluar një model të ri këpucësh për personelin ushtarak femëror që merr pjesë në paradën e Ditës së Pavarësisë së vendit pasi një skandal i profilit të lartë shpërtheu mbi gratë që u detyruan të marshonin me këpucë me taka.

“Ne kemi zhvilluar një model të ri këpucësh gjatë javës së kaluar”, tha Ministri i Mbrojtjes, Andrey Taran në një takim qeveritar.

“Ato kanë lidhëse dhe kjo do të thotë që këpucët nuk do dalin nga këmba teksa ushtaraket femra parakalojnë në pardë “, tha Taran, duke shpjeguar se taka gjithashtu ishte bërë shumë më e vogël.

Vendimi për të ndryshuar këpucën u mor pas një skandali që shpërtheu në internet, me disa që pretendonin se veshjet që ushtarakët femra u detyruan të vishnin ishin nënçmuese. Një deputete në veçanti, Elena Kondratyuk, e quajti atë një ‘turp’. Një deputet tjetër, Aleksey Zhmerenetsky, pyeti pse personeli ishte ‘veshur si kukulla karnavalesh për të argëtuar turmën’.

Fillimisht, Ministria e Mbrojtjes refuzoi të tërhiqej, duke vërejtur se ushtaret do të dukeshin “të bukura e të forta” në Ditën e Pavarësisë. Disa ditë më vonë, megjithatë, qeveria duket se ka ndryshuar mendje.

Sipas Taran, ai foli me disa gra që shërbenin në ushtri të cilat i thanë se këpucët ishin të parehatshme dhe kishin takë shumë të lartë. Kjo e nxiti atë të miratojë rregullimet në këpucë, tha ai.

Pas skandalit, Ministria e Mbrojtjes postoi në Facebook, duke theksuar se shumë vende të tjera gjithashtu u kërkojnë ushtareve të tyre femra të veshin taka të larta.