Vendosni fjalën kyçe....

Merkel: Gjermania do japë 3 milionë doza vaksinash anti-covid për Ballkanin Perëndimor


Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pas takimit virtual me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, ka bërë të ditur se Gjermania do të ndajë tre milionë doza të vaksinave për këto vende.

Merkel po ashtu ka theksuar se ekzistojnë një sërë problemesh mes Kosovës dhe Serbisë, por se një bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit është i nevojshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Bashkëpunimi për një treg të përbashkët rajonal dhe njohja e diplomave, ka shtuar Merkel, është një çështje që nuk është arritur ende, por, siç ka thënë pritet që shpejt të ndodhë një gjë e tillë.

Eliminimi i tarifave për shërbimet e roaming-ut në vendet e Ballkanit Perëndimor, Merkel e ka theksuar si një arritje mes këtyre shteteve.

Procesi i Berlinit, një iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, filloi në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit.